Duke iu referuar Partisë Demokratike, Kryeministri Rama deklaron se ka vetëm një parti parlamentare në Europë që ka në programin e saj dhunën, shkatërrimin e pronës dhe sulmin ndaj godinave shtetërore. Në një reagim në rrjetin X për protestën e së shtunës, kreu i qeverisë i cilësoi protestuesit të dhunshëm, mercenarë të rekrutuar me lekë.

“Në Europë ka protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime të ndryshme që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona. Por qysh nga koha e partive famëkeqe të 100 viteve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë në programin e aktivitetit të saj, si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!”

Kryeministri, në reagimin e tij në rrjetin social X, poston foto nga shpërthimi i flakadaneve dhe thotë se këto protesta janë jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur.

“Tanimë këto farë protestash, me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm”.

Kryeministri Rama e mbyll reagimin e tij duke u uruar të shkuara punonjësve të policisë, të cilët, siç thotë ai, u plagosën nga kjo lakuni e verbër.

Klan News

/tvklan.al