“IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re” ishte tema e zgjedhur për Samitin e Ruhr-it, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Evropë kushtuar inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë, ku ishte folës edhe kryeministri Edi Rama. Edhe pse rastësi, dukej si një temë e përzgjedhur enkas për situatën në Shqipëri, ose të paktën kreu i qeverisë e shfrytëzoi për ta sjellë në vëmendje.

Rama e ndau fjalimin në dy pjesë. Në pjesën e parë foli për të mirat që sjell teknologjia, duke u ndalur tek ministria virtuale dhe ndihma që po jep inteligjenca artificiale si në procesin e integrimit, ashtu edhe në luftën ndaj korrupsionit, përmes digjitalizimit të çdo shërbimi.

“Le të marrim prokurimin publik. Çdo qeveri duhet të blejë rrugë, barna, shkolla, teknologji. Prokurimi publik është ku shteti shndërron paratë publike në vlerë publike, por edhe ku paqartësia, kompleksiteti, diskrecioni shumë shpesh kanë bërë të mundur rrjedhjen e besimit publik. Kështu që i bëmë vetes një pyetje tjetër: Ç’do të ndodhte nëse inteligjenca artificiale do të bëhej një partner inteligjent përgjatë gjithë procesit të prokurimit publik, jo për të zëvendësuar njerëzit, por për të forcuar institucionet. Dhe sot po ndërtojmë pikërisht këtë gjë. Ëndrra ime është që ta finalizojmë dhe pastaj t’ia shesim Gjermanisë! Po, sepse pas 35 vjetësh që Gjermania na gozhdon që duhet të luftojmë korrupsionin, do të ishte fantastike nëse do të kontribuonim që gjermanët të luftonin edhe ata disa prej korrupsionit të tyre”.

Por teknologjia, sipas Ramës, ka edhe një anë tjetër që po ndikon në cenimin e demokracive dhe informacionit, dhe kjo ka emrin algoritëm, i cili është faktor kyç i vëmendjes që po merr protesta njëmujore në Shqipëri.

“Disa javë më parë në vendin tim, ndoshta e keni parë, u shndërrua në laborator të vogël të kësaj dukurie të madhe. Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë çfarë u njoh ndërkombëtarisht si ‘revolucioni i flamingove’. Si kryeministër e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë, shumë kujdes. Jo duke numëruar njerëzit në rrugë, e jo duke matur hashtag-et, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet, ankthet, shpresat që i sollën njerëzit aty. Qeveria që rresht së dëgjuar, rresht së qeverisuri. Protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq. Realiteti kërkonte një binjak digjital. Çdo zë u shndërrua në rekomandim. Çdo ekzagjerim u shndërrua në angazhim. Çdo reagim emocional u bë një tjetër sinjal që platformat të prodhonin edhe më shumë nga e njëjta gjë dhe çdo nuancë u zhduk. Konteksti u zhduk, kompleksiteti u zhduk dhe protesta online ndërkohë nuk po përshkruante protestën, por ishte një demonstrim më i madh, më i thjeshtë, më i zemëruar. Në fakt, më tej miliona njerëz, të cilët nuk kishin vënë as këmbën në Shqipëri, nuk përjetuan vetë demonstratën, por interpretimin e algoritmit të saj. Realiteti digjital u bë më ndikues sesa ai fizik dhe kjo është e shëmtuar. Jo qytetarët, jo protesta, por shtrembërimi, zëvendësimi i realitetit përmes optimizimit. Dhe kjo nuk është një histori vetëm shqiptare. Algoritmi nuk e urren demokracinë, thjesht nuk e di çfarë është demokracia”.

Tv Klan

/tvklan.al