Kryeministri akuza Metës:  Nderon Selam Musain, duke ndaluar projektet e Vlorës

Nga Vlora, kryeministri Edi Rama deklaroi se brenda 2 ose 3 muajve në këtë qytet do të hapet kantieri për ndërtimin e Portit të ri. Gjatë një bashkebisedimi me qytetarët në qytetin bregdetar Rama foli edhe për aeroportin e ri për të cilin tha se ka patur mjaft kritika.

“Kemi pasur një proces tejet sfilitës me të parin që është aeroporti, për shkak të pandemisë, për shkak të garës që u pezullua, u rihap u ripezullua. Tani shpresoj të kemi fituesin e garës dhe porti i ri turistik që do të filloj të ndërtohet së shpejti, së bashku me portin e ri të mallrave dhe pasagjerëve që do të spostohet, ku do të sistemohet edhe porti i peshkimit.Do të krijojnë një impakt shumë të rëndësishëm ekonomik dhe do të krijojnë një përspektivë konkrete për shumë vende pune.”

Kreu i qeverisë nuk kurseu as sulmet për presidentin Ilir Meta, për të cilin tha se shfrytëzon postin e tij për favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Për fat të keq Iliri nuk është president, është shpërdoruesi në vazhdimësi i institucionit dhe i rolit të presidentit. E shpërdoron atë institucion dhe atë rol në funksion të ndërmarrjes politike që formalisht por jo realisht e drejton e shoqja. Thotë çfardo qoftë që atij i duket se prodhon vota për ndërmarrjen e tij partiake”

Ironik ishte edhe deputeti i Vlorës Damian Gjiknuri.

“Ta ftojmë dhe presidentin e Republikës dhe të gjithë të tjeët që të mos vijnë fshehtas më në Vlorë, të vijnë haptas të kenë vendin aty të merituar dhe së bashku të inaugurojmë fillimin e punimeve“, u shpreh Gjiknuri.

Rama i cilësoi skandaloze akuzat për largim të të rinjve nga vendi, duke thënë se shqiptarët kanë lëvizur gjithmonë në histori, veçse në kohën kur i mbajti të mbyllur si në kafaz Enver Hoxha.

Klan News