Kryeministri Edi Rama priti të premten në godinën qeveritare ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker. Kreu i qeverisë zbuloi se kryefjalë e bisedimeve ishte forcimi i partneritetit strategjik dhe ushtarak, ndërsa Shqipëria po përgatitet të presë samitin e radhës së NATO-s vitin e ardhshëm.
“Me Ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët, si edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës.”
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ambasadori i SHBA-ve në NATO fluturoi mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, ku vlerësoi aftësinë e vendit tonë për t’u bërë nyje logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII.
Ndërsa në një koment në rrjetin social X, deklaroi se SHBA pret që Shqipëria të arrijë objektivin e kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Shqipëria po rrit ndjeshëm kapacitetet në mbrojtjen kibernetike, është e angazhuar në operacionet për paqe dhe në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, si dhe në misione të tjera. Gjatë diskutimeve me kryeministrin Edi Rama dhe ekipin e tij, theksova se presim të shohim çfarë më shumë mund të arrihet për lëvizshmërinë ushtarake, pasi Shqipëria të përmbushë objektivin e Presidentit Donald Trump për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.”
Më herët, ambasadori amerikan në NATO u takua në selinë e ambasadës amerikane në Tiranë me marinsat amerikanë dhe shqiptarët të cilët kanë shërbyer në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 