Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të Mërkurë në Shkodër ligjin e ri të sapomiratuar “Paketa e Maleve”. Kjo e fundit, sipas kreut të qeverisë do u hapë rrugë investimeve në agroturizëm apo turizëm malor. Ai vuri theksin edhe tek regjistrimi i pronës, si një element kyç për të gjithë ata që duan t’i përdorin tokat për biznes.
“Logjika e kësaj pakete është që pronarëve që quhen posedues faktikë, se kemi parasysh pronarët jo zaptuesit. Poseduesit faktikë që nuk kanë letrat, dokumentat e pronësisë të regjistruar. Janë shumë dhe janë të dëshiruar të investojnë në gjithë zonën e veriut.”
“Nga ana tjetër ajo që është e padiskutueshme është se nuk ka një pikë të Shqipërisë, kudoqoftë të vësh gishtin, ku të mos jetë e mundur që të bësh sukses, nëpërmjet agroturizmit. Të hapësh një derë të sjellësh njerëz, pavarësisht infrastrukturës madje, për të ofruar çfarë natyra e tradita ka. Sot mund të flasim bazuar në shembuj”, shtoi Rama.
Veçoi Shkodrën si destinacion të preferuar nga vendas e të huaj, të cilët bëhen klientë të pikave të agroturizmit.
“Kini parasysh që vitin e kaluar ka pasur 5.5 mln vizitorë në parqet kombëtare, shifër e jashtëzakonshme. 5.5 mln janë faktikisht, potencialisht klientë të një rrjeti agroturizmi që gjendet aty rrotull. Ajo që është akoma më interesante është që 1.3 mln janë në qarkun e Shkodrës, në zonat e mbrojtura. Është shumë! Rritja në krahasim me 2023-in është goxha e madhe, ndërkohë që me 2022-in është eksponenciale. Është bërë destinacion, ka shumë më tepër potencial nuk diskutohet.”
Për 500 përfituesit e parë nga “Paketa e Maleve” nuk do ketë asnjë taksë për 10 vjet.
/tvklan.al