Tre vite kanë mjaftuar që gjithë tensionet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis të lihen pas krahëve. Takimi i sotëm në Athinë, në zyrën e tij në rezidencën Maximos dhe deklaratat e të dyve e dëshmuan më së miri se kanë gatishmëri për të ecur përpara.

Madje kryeministri Rama nuk e pati aspak kompleks ta shprehte para kamerave lehtësimin që ndjente për tejkalimin e situatave të krijuara pas arrestimit të Fredi Belerit.

“Faleminderit shumë. Dhe, për t’ju thënë të vërtetën, ndihem i lehtësuar që ajo që duhej të lihej në të kaluarën, ka mbetur në të kaluarën, sepse kjo më jep mundësinë të vij më shpesh në vendin tuaj të bukur, të cilin e dua”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

“Është gjithmonë kënaqësi t’ju mirëpres në Athinë, i dashur Edi, me rastin e pjesëmarrjes suaj në Forumin Ekonomik Delphi”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Gatishmëri u tregua edhe për të vijuar dialogun për gjetjen e zgjidhjeve të çështjeve të pazgjidhura që ekzistojnë mes dy vendeve tona.

“Besoj se ende kemi një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të vendosur miqësi të vërtetë midis dy popujve tanë. Prandaj, është një mundësi e shkëlqyer për t’ju mirëpritur përsëri në Athinë, dhe e di që ju vërtet e shijoni ardhjen këtu”, tha Mitsotakis.

“Ndërkohë, dua t’ju falënderoj sinqerisht për mbështetjen. E vlerësojmë shumë. Dhe, po, jemi shumë të etur të vazhdojmë dhe të përfundojmë atë për të cilën kemi rënë dakord së bashku, një dokument të guximshëm partneriteti strategjik ku të gjitha çështjet adresohen dhe nuk ka më çështje të pazgjidhura midis nesh, ndërsa duam të bashkohemi me Bashkimin Evropian dhe ta bëjmë këtë rajon shumë më të rëndësishëm edhe në këtë nivel”, shtoi Rama.

Edhe për rrugëtimin e vendit tonë drejt anëtarësimit, Kyriakos Mitsotakis u shpreh mbështetës.

“Është gjithmonë mirë të na jepet mundësia të vlerësojmë progresin e rëndësishëm që kemi bërë në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në rrugën e vështirë që keni ndjekur drejt Bashkimit Evropian”, tha Mitsotakis.

Edhe vetë Rama pranon se është i befasuar nga pritja që i ka rezervuar miku i rigjetur Mitsotakis dhe e gjen me vend të justifikohet për veshjen që nuk respekton protokollin zyrtar të takimeve.

“Përsëri, shumë faleminderit, z. Kryeministër. Është një nder të jem këtu dhe kërkoj ndjesë që nuk u vesha aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Prandaj shpresoj që media greke të mos e perceptojë ndryshe, përveçse si mungesë informacioni të mirë nga protokolli im”, tha Rama.

Por kryeministri grek tregohet po kaq sportiv duke pranuar se moda është një pikë që e dallon Ramën dhe që ai vetë s’mund të mos e pëlqejë.

“Ne e pranojmë që ju jeni gjithmonë shumë shpikës në mënyrën se si visheni, dhe kjo na pëlqen”, tha Mitsotakis.

Tv Klan

/tvklan.al