Kryeministri Edi Rama paralajmëroi gjatë asamblesë së Partisë Socialiste reformë të re administrative territoriale dhe zgjedhore.
“Jemi në dekadën vendimtare të bashkimit përfundimtar me familjen europiane na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi për disa institucione të rëndësishme, ndër të cilat padyshim edhe për Kuvendin e Shqipërisë”, tha Rama.
Ai u shpreh se numri i deputetëve në Kuvend duhet të zbresë në 101.
“E para gjë, si rrallë gjë që gjen dakord çdo shqiptar thuajse çdo shqiptar është tepria që ngjan çdo vit e më e tepërt e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve në Kuvend, në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum ta diskutojmë do të kishte vetëm impakt pozitiv në më shumë se sa një aspekt. Prandaj ky ndryshim pozitiv kushtetues duhet të jetë objektiv i yni i cili përkon plotësisht me vullnetin e zgjedhësve tanë, por aedhe atyre që e çuan votën në drejtime të tjera”, tha Rama.
Një tjetër ligj sipas tij duhet të jetë ai për kuvendin.
“Së dyti, Kuvendi i Shqipërisë miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet, nuk ka pavarësinë e vet financiar, nuk ka status të deputetëve të vet, nuk ka një administratë të mbështetur sa dhe sa duhet në funksion të sfidave të veta dhe madje kuvendi është pa shtëpi. S’ka një shtëpi, që të garantojë praktikën, por dreqi e mori edhe estetik të një parlamenti të një shteti anëtar të BE. Ligji organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit duhet të jetë objektiv”, tha Rama.
Sa i përket reformës adminmistrative ai tha se duhet ngritur një komision i posaçëm.
“Së treti pas 10 vjetësh nga reforma administrative territoriale koha ka sjellë në rendin e ditës nevojën e një rishikimi të ndarjes aministrative territoriale. Prandaj duhet të ngremë komisionin e posaçëm parlamentar për të nisur menjëherë nga puna analitike në funksion të thellimi të kësaj reforme duke reflektuar ndryshime shumë domethënëse të këtyre viteve që nga demografia, te teknologjia, me fokusin kryesor mirëpërgatitjen në nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha Rama.
“Komisioni i kësaj reforme duhet të ngrihet dhe të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke filluar nga organizimi i një konsultimi të gjerë publik dhe patjetër duke ftuar forcat e tjera parlamentare të mirësevijnë për të dhënë kontributin e tyre, po deshën sigurisht”, paralajmëroi Rama.
Sa i përket reformës zgjedhore tha se duhet parë depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nxjerrja në një kohë normale e rezultatit.
“Duhet ngritur edhe komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore, duhet të adresojë rekomandimet e ODIHR ndër të cilat ka ardhur koha që të marrin përparësi të veçantë depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja e nxjerrjes së rezultatit në një kohë normale për një vend anëtar të BE”, tha Rama.
Po ashtu paralajmëroi harmonizim të ligjit për komisionet hetimore më jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
“Harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore me jurispdencën e Gjykatës Kushtetuese, për të reflektuar qartësisht mbi atë ligj, standardet e vendosura nga vendimet e Kushtetuese të cilat kanë mirëpërcaktuar kufijtë e kompetencave, rolet e pakicës dhe shumicës parlamentare, mes të drejtës së shumicë për të qeverisur dhe të drejtës së opozitës për të kontrolluar qeverinë”, tha Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 
