Dy ditë pas intervistës dhe publikimit të reportazhit të dytë në Rai 3, kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një mesazh opinionit publik. Gjithçka që u publikua në televizionin italian, kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi një sulm ndaj flamurit dhe kombit shqiptar.

Edi Rama: Cënimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë.

Sipas Edi Ramës, reportazhi i Rai 3 nuk ishte gjë tjetër veçse një perceptim i atyre që ende e shohin Shqipërinë si vend i botës së tretë.

Edi Rama: Nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket , se skanë parë gjë akoma.

Me akuza pa fakte tha kreu i qeverisë, televizioni Italian përdori si heronj persona që sot kërkohen nga SPAK.

Edi Rama: RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative. U përdorën si  heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuar nga Vetingu në sistemin e drejtësisë.

Për kryeministrin, kjo baltë e hedhur ndaj Shqipërisë, u eksportua në Itali nga kundërshtarët e tij politikë.

Edi Rama: Nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike këtu në Shqipëri, që i shërbejnë asaj llum politike. Pseudo investigim italo-shqiptar, po vetëm u mbars mali dhe polli një mi.

Për ti dënuar për dëmin që sipas tij iu bë vendit, Edi Rama kërkon ndihmën e shqiptarëve.

Edi Rama: Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor.

Intervistën me gazetarin Giorgio Mottola, Edi Rama tha se e kërkoi vetë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, teksa është baltosur pa limit.

Klan News