Të gjithë kritikëve për ngritjen dhe funksionimin e Agjensisë për Media dhe Informim, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me gjetjet e fundit të raportit Sigma/Oecd, i cili ka analizuar “Koodinimin e Komunikimit qeveritar” për vendet kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. 

Raporti vlerëson me nota pozitive agjensinë shqiptare për median, si një instrument kyç të qeverisjes efektive, transparencës dhe besimit publik. Ndërsa rekomandon një koordinim më të mirë mes ministrive.

Këto gjetje sipas kreut të qeverisë tregojnë një realitet tjetër nga sa është folur duke hedhur poshtë akuzat ndaj agjensisë.

“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht”, tha Rama.

Gjetje të cilat thotë se janë evidentuar nga raporti i Sigma/ Oecd, i cili është ndërtuar mbi bazën e fakteve dhe jo perceptimeve.

“Këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave!”, u shpreh kryeministri.

Rama e mbyll komentin e tij me një përgëzim për skuadrën e agjensisë, bashkë me fjalët se “E vërteta vonon por nuk harron”.

Klan News

/tvklan.al