35 vite pasi nisi së bashku me Ardian Klosin dhe Kasem Trebeshina, me refleksione dhe një cikël takimesh ku për herë të parë u kërkua vetingu për figurën e diktatorit Hoxha dhe lirimi i të burgosurve politikë, Edi Rama është rikthyer në sallën e Akademisë së Arteve për të rrëfyer përballë Blendi Fevziut të gjitha emocionet, frikërat dhe të vërtetat e asaj nisme.

“Ajo që ka ndodhur atë ditë kur unë kam përmendur emrin e Enver Hoxhës, këtu, ajo ishte tamam si një seancë ekzorcizmi. Prapë ishte si frikë”, tha Rama.

Edhe pse synimi i intervistës nuk ishte aspak aktualiteti, Rama, duke referuar një bashkëbisedim me Isuf Vrionin pas vendosjes së pluralizmit, u ndal tek gjyqësori, kur tha se, ashtu siç ai e kishte parashikuar, shteti ligjor në kuptimin e drejtësisë së drejtë ende pas 35 vitesh nuk ekziston.

“Shteti ligjor përmes gjykatës është tha një trupë njerëzish të pavarur, të aftë dhe të ndershëm. Faktikisht kur i sheh sot gjërat e kupton që jemi akoma në një të përpjetë për shtetin ligjor dhe për gjykatat e pavarura”, tha Rama.

Pa ia përmendur asnjëherë emrin, bëri përgjegjës Berishën për retorikën e ashpër politike në 35 vite, ku kundërshtarët politikë konsiderohen armiq.

“Lidhet me fatkeqësinë e madhe që një komunist ultrafanatik u kthye në një konservator ultrafanatik dhe gjuhën e urrejtjes, teknikat e degjenerimit me tjetrin, luftën me çdo lloj kundërshtie brenda vathës së vet dhe me çdo lloj kundërshtari e ktheu në metodë”, tha Rama.

Sinkron. Megjithatë, Berishës i njeh një cilësi që, sipas tij, Fatos Nanos i mungonte.

Blendi Fevziu: Nano nuk është më në këtë jetë. Nëse do ju kërkoja sot ta përkufizonit në mënyrë realiste, si do ta përkufizonit?

Edi Rama: Në qoftë se do më kërkosh vetëm një fjali do thosha shumë talent, pak vullnet.  

Blendi Fevziu: Kush është njeriu politik më i vullnetshëm që keni njohur këto 30 vite?

Edi Rama: Më i vullnetshmi në të keqen e vet është ai miku jot. Pa diskutim.

Blendi Fevziu: Berisha?

Edi Rama: Nuk ia zë emrin unë tani se më duket sikur… Më i vullnetshmi në të keqen e vet është ai miku jot. Ti ia gjete emrin direkt. Se ti ke dhe gjithë këta miq. Si e gjete menjëherë?

Për Metën nuk pranoi të komentojë dhe tha se qëndron ende përkufizimi që i ka bërë tek libri Kurbani.

“Pak a shumë është raporti që ka qenë vijimësisht edhe më pas”, tha Rama.

Por u ndal gjatë dhe me detaje tek takimi i 17 majit 2017 me Lulzim Bashën.

“Ça do tha? U ulëm edhe folëm gjerë e gjatë. Fol e fol e fol. Në fund u morëm vesh. . Më zhgënjen tha, ku e pyes atë unë. Ai më tha, do japë bekimin. Ishte tha një gjysh i lumtur”, tha Rama.

Momenti më i rëndësishëm dhe njëherësh më mbresëlënës për Ramën e ka emrin Linda.

Rama ndan në intervistën e tij edhe momentin më të vështirë në jetën private dhe atë politike.

“Momenti më i vështirë ka qenë momenti ku duhej të bëja luftën për të marrë drejtimin e PS dhe njëkohësisht duhej të ndiqja në distancë me shumë tension ecurinë e sëmundjes së djalit tim. Ishin të dyja bashkë në të njëjtën kohë dhe ishte shumë sfidë e madhe që nga një anë duhej të isha energjik, i qeshur, guximtar, i fortë, i vendosur për të marrë lidershipin e PS”, tha Rama.

Kur ka hyrë në vitin e 13 të qeverisjes si kryeministër, Rama nuk ka një datë kur do të largohet nga politika.

Edi Rama: Jo.

Blendi Fevziu: Fare-fare?

Edi Rama: Jo sepse ju shpeshherë ose gjitha herët e merrni në mënyra të ndryshme, por asnjëherë siç e them unë atë që them. Unë nuk e kam parë kurrë këtë as si asnjë punë, as si një profesion, as si një rastësi, e kam parë si mision. Për mua është si misioni dhe misioni im është që ta çoj me ndihmën e Zotit dhe shqiptarëve Shqipërinë në BE.

/tvklan.al