18 shtator 2026 – Kuvendi i Shqipërisë u mblodh dje në një seancë maratonë ku si rrallë herë, mori pjesë dhe kryeministri Edi Rama. Rendi i ditës ishte i ngjeshur. Seanca nisi me debate për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së e përfundoi me përplasje të Ramës me deputetë të PD për një sërë çështjesh të tjera.
Kreu i qeverisë e njëkohësisht kryetari i PS, erdhi në sallë kur filluan diskutimet për miratimin e formulës së re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve të Shqipërisë. Kaq iu desh opozitarëve, për të mbajtur radhë për debat me kryeministrin.
Një çështje që solli ngritje të toneve ishte Albcontrol dhe arbitrazhi me biznesmenin italian, për të cilin Shqipëria u dënua në vitin 2019 të paguajë rreth 110 milionë euro dëmshpërblim. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi Ramën se ka shkelur vazhdimisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se po keqpërdor paratë publike.
“Po për t’u marrë me subjektin në fjalë, ke nja 14 vite deri tani. S’ia ke dalë, për fatin e keq të Shqipërisë, se ato lekë nuk janë të tuat, edhe pse veprimet janë të papërgjegjshme, të tuat personale dhe të rrethit tënd të ngushtë, siç thotë vendimi i arbitrazhit. Por ato lekë janë të shqiptarëve dhe unë ndiej keqardhje që ai zotëria, për papërgjegjshmëri të qeverisë që ti drejton, i merr paratë qytetarëve të varfër shqiptarë, në vend që t’i çojmë për rritje pensionesh e për rritje rrogash për qytetarët shqiptarë e për ndihmë më të lartë ekonomike për familjet e varfra dhe që s’kanë bukë të hanë çdo ditë”, tha ndër të tjera Bardhi.
Rama iu përgjigj ashpër duke thënë se “nuk mund të bëjnë për budallenj shqiptarët” dhe se populli i ka dhënë PD-së përgjigjen e merituar për gënjeshtrat në çdo proces zgjedhor.
“Për sa u përket pastaj 34 milionëve e 450 milionëve, e 70 milionëve, e 80 milionëve, kjo është një përpjekje shumë e vjetër që ka po të njëjtin rezultat: rrokanisje pa fund kokës së shqiptarëve dhe, në fund, ballit nga shqiptarët sa vijnë zgjedhjet. Dhe përsëri shqiptarët ballit, sa vijnë zgjedhjet, do t’ju japin për të gjitha këto që bëni. Sepse sa më shumë t’i merrni për budallenj, aq më shumë do ta merrni ballit nga shqiptarët në çdo palë zgjedhje. Kjo është e vërteta”, tha Rama.
Në debat u përfshi dhe deputeti Blendi Himçi, i cili i tha Ramës se nuk e njeh vendimin e arbitrazhit. Rama iu përgjigj duke deklaruar të kundërtën dhe ironizoi opozitën, duke e krahasuar me “zhelet e gabit”, një shprehje që, siç tha Rama, e përdorte ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
“Unë ju kam thënë qysh në krye të herës që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ‘ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë’, sepse, po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Prandaj aq mirë e llogarit edhe sa vleni ju, sa në çdo zgjedhje jua ul çmimin dhe jua ka bërë si rroba të gabit. Kështu jeni bërë ju në politikën shqiptare: rroba të gabit ose, siç thoshte fort e nderuara Jozefinë, ‘zhele të gabit’”, tha Rama.
Protestat ishin një tjetër temë diskutimi. Rama iu përgjigj dhe deputetes Jorida Tabaku, e cila i kërkoi dorëheqjen në emër të protestuesve.
“Do të doja që dikush t’ia përcillte fjalën time Tabakut, meqë nuk është, sepse foli me pasion për protestën, dhe t’i thotë që të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci, kurse të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta quhet ‘amanet mushkat, se kuajt ikën”, tha Rama.
Konflikti me sistemin e drejtësisë ishte një tjetër çështje që prodhoi përplasje. Rama deklaroi se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk do të thotë që ajo mund t’i diktojë Kuvendit se si të votojë.
“Unë mendoj që Kuvendi i tëri do t’i japë Gjykatës një mesazh shumë të qartë: me këtë rast, detyra juaj është që të mos lejoni që ne ta ngremë dorën gabim, por detyra jonë është t’ju themi që ju nuk na e thoni dot kurrë se si ne ta ngremë dorën”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se askush nuk mund t’i vendosë afate Kuvendit të Shqipërisë.
“Këtu bëhen katër orë debate për rendin e ditës. Si del një pushtet tjetër atje dhe thotë: ‘Do të mblidheni ju deri në datën 31’? Se po nuk u mblodhët deri në datën 31, në datën 1 ne do të mësyjmë dyert e Thesarit. Si është kjo?”, tha Rama.
PD e PS miratuan dhe një deklaratë të përbashkët në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës që i dënoi më 81vite burg në total. Kuvendi i Shqipërisë u angazhua që: Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Sllobodan Millosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
