Si çdo vit, kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë shtruar iftar për besimtarët, në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Të pranishëm ishin presidenti i Republikës Bajram Begaj, përfaqësues të trupit diplomatik, politikanë, artistë dhe përfaqësues nga bota e medias. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se agjërimi i mëson njeriut durimin.

“Sofra e Iftarit është e vetmja sofër ku je edhe shtrues, edhe i shtruar, edhe zot shtëpie edhe mik. E di që mbledh apo mblidhesh, por është diçka që bashkon, Zoti, Allahu, universi. Agjërimi i mëson njeriut durimin e vetëvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vet të parë, shpellarit që ka brenda vetes”, pohoi Rama.

Rama evidentoi faktin se ky iftar është i pari për këtë mandat qeverisës, për të cilin uron të jetë i fundit jashtë Bashkimit Europian.

“Ky është iftari i parë në këtë mandat të katërt, ndërkohë që ky mandat dua të jetë i fundit i një kryeministri jashtë shtëpisë së Europës. Dua ta mbyll me një detaj: për herë të parë në tri dekada, Ramazani dhe Krishtlindja do të takohen në vitin 2030”, tha ndër të tjera Rama.

Sipas kryeministrit Rama, besimi nuk është vijë që ndan, por bashkon, dhe ashtu si islami edhe krishterimi e thërret Europën në krye të sofrës.

Tv Klan

/tvklan.al