Në një takim të zhvilluar në Berat me 70 sipërmarrës të sektorit të përpunimit të vajit, kryeministri Edi Rama e cilësoi si tejet të rëndësishme nisjen e punës për vendosjen e standardeve të Bashkimit Evropian për sigurinë ushqimore.

“Ne kemi patjetër domosdoshmërinë që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian për 1001 arsye, por duhet të jemi të vetëdijshëm që janë 1001 sfida dhe një nga sfidat më të vështira të futjes atje është siguria ushqimore, që do të thotë që duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian nuk është më çështja që ti nuk e eksporton dot diçka që nuk është në parametrat e sigurisë së atij vendi atje, po ti nuk e shet dot as këtu”.

Rama bëri të ditur se një ekip inspektues nga Brukseli ka paraqitur edhe çështjet që duhet të trajtojë Shqipëria në fushën e bujqësisë.

“Kanë lënë një sërë rekomandimesh dhe unë besoj shumë që shqiptarët kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t’u adaptuar edhe që do t’i rezistojnë kësaj dallge, por ama duhet filluar tani puna për të qenë të qartë se çfarë do Bashkimi Europian. Nuk rregullohemi fare nesër ne dot, po nuk arritëm dot të plotësojmë ato standarde që duhet të kemi si shtet anëtar i Bashkimit Europian, që patjetër janë të vështira, por janë e mira e konsumatorit në radhë të parë, se janë siguri.”

Një përgjigje dha edhe pse qeveria rishikoi skemën e subvencionimit të naftës për fermerët.

“Nuk na ka rezultuar as që kjo formulë ka rritur, ka ndikuar në rritjen e parametrave të prodhimit dhe as ka për të rezultuar që dalja nga kjo formulë do të sjellë rënie të prodhimit, sepse ata të cilët kanë prodhuar në toka të të tjerëve dhe naftën ia kanë dhënë atyre të tjerëve, kanë vazhduar të rriten, nuk është kjo që e rrit prodhimin dhe këto janë konkluzione nga praktika.“

Ndërsa një përgjigje dha për deklaratat e tij se në Shqipëri ka më pak korrupsion.

“Një miku im po më thoshte: “ki pak më kujdes sepse dukesh arrogant kur thua që Shqipëria sot ka më pak korrupsion se ç’kishte dhe asnjëherë si sot korrupsioni nuk është luftuar në Shqipëri”. Tani, kjo është e vërteta dhe unë jam i gatshëm të përballem me këdoqoftë për sa kohë jemi në fushën e fakteve.“

Gjatë qëndrimit në Berat, Rama inspektoi edhe punimet në shkollën “22 Tetori”.

Tv Klan

/tvklan.al