Pak ditë pasi prezantoi dokumentin strategjik “Besa”, kryeministri Edi Rama ndau sot, 30 korrik, me drejtuesit politikë dhe krerët e komisioneve parlamentare aneksin që e shoqëron, i emërtuar “Prania Besnike”, i cili ka për qëllim të orientojë angazhimin e strukturave socialiste për kthesën e mandatit të katërt qeverisës.
Ndërsa rreshtoi një sërë modelesh, nga SHBA-të tek Europa, kreu i qeverisë tha se nga të tjerët duhet të nxirren mësime, por jo të trashëgohet “sëmundja”.
“Prania Besnike e PS-së nuk mund të jetë as zyra e ‘punteros’ argjentinas, as zyrë ankesash dhe as kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo tentativë e dështuar nostalgjike. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve, pa trashëguar sëmundjen.”
Atyre që i kërkojnë dorëheqjen çdo ditë poshtë zyrës së tij, Rama iu përgjigj se largimi nuk është virtyt i lidershipit, aq më tepër tashmë që anëtarësimi në BE është realitet i prekshëm.
“Të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm sepse një pakicë bërtet në kor, nuk është as tipar udhëheqjeje, as përgjegjësi institucionale, por është vetëm braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe. Ndërsa të largohesh pikërisht sot nga udhëheqja e vendit, duke lënë në rrugë misionin historik që fati e vuri mbi supet tona, do të ishte shpërfillje e pafalshme e një porosie të madhe kombëtare. Kush do të këndojë, kur të dojë le të këndojë, kur të dojë le të pushojë. Misioni ynë do të vazhdojë deri sa të përfundojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar.”
Sipas kryeministrit, kjo nuk është betejë e Partisë Socialiste për të mbajtur pushtetin, por një betejë e Shqipërisë për t’u ulur në sofrën e BE-së.
“Përpara derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes të vijë vërdallë apo të ndryshojë vendim në mes të rrethrrotullimit. Kjo nuk është beteja e PS-së për të mbetur në pushtet, është beteja e Shqipërisë për të qenë në sofrën e BE-së. Nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do të mbajmë përgjegjësinë që historia na ka dhënë mbi supe.”
Për Partinë Socialiste, ky do të jetë mandati i një kthese strategjike, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore.
“Duam t’i japim jetë një marrëdhënieje të re mes qytetarit dhe qeverisë dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë. Falë një makinerie të pathyeshme elektorale, kemi koleksionuar së bashku 9 fitore dhe vetëm një humbje.”
Mesazhi për të tijët ishte i qartë.
“Përballja me një realitet të ri sapo ka nisur. Mospërgjigjja është e ndaluar në PS.”
Ai theksoi se PS-ja duhet të bëjë përjashtim nga partitë që qëndrojnë gjatë në pushtet dhe ndryshken. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, sipas tij, nuk do të ketë më skenë për PS-në.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 