Edhe në Tivat, ku mori pjesë në samitin Ballkani Perëndimor–Bashkimi Europian, kryeministri Edi Rama foli për investimin në Zvërnec dhe protestat që po zhvillohen prej disa ditësh poshtë zyrës së tij.
Kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin se nuk ekziston asnjë projekt i miratuar.
“Nuk mund të diskutojmë për diçka që nuk ekziston, por që po paraqitet në rrjetet sociale përmes një lufte hibride kundër Shqipërisë dhe narrativave të rreme. Një prej tyre pretendon se projekti nuk është ai që thuhet, por një marrëveshje mes meje dhe Benjamin Netanyahut, e ndërmjetësuar nga Jared Kushner, për të sjellë palestinezët në Zvërnec. Nuk ka ende projekt, nuk ka arsye për shqetësim dhe arkitektë, inxhinierë e peizazhistë ndër më të mirët në botë janë të angazhuar në këtë nismë. Qëllimi nuk është dëmtimi i natyrës, por krijimi i diçkaje unike, që do të jetë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe një dhuratë e Shqipërisë për Europën.”
Sipas kreut të qeverisë, ky nuk është vetëm debat mjedisor, por edhe çështje e një lufte hibride. Rama akuzoi Iranin se po shpërndan dezinformata.
“Ka armiq të Shqipërisë që i njohim mirë. Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri. Kjo narrativë ka marrë shumë vëmendje. Janë shpërndarë video të rreme me qindra mijëra shikime, ku pretendohet se shqiptarët brohorasin ‘Israel go home’. Këto janë të gjitha të rreme.”
Rama u ndal edhe te integrimi gradual, për të cilin tha se Evropa duhet të gjejë kurajën për të pranuar anëtarë të rinj.
“Besoj se Evropa, për veten e saj para së gjithash, duhet të jetë më e guximshme, duhet të ruajë procesin e bazuar në meritë, duhet të ecë drejt integrimit gradual. Nëse Evropa dëshiron t’i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe t’i japë energji vetes, duhet të thotë se, ashtu siç jemi sot të gjithë rreth së njëjtës tryezë, duhet të jemi gjithmonë aty, secili me statusin e vet, derisa të bëhemi anëtarë të plotë.”
Kur foli për propozimin franko-gjerman, Rama solli si shembull ish-kancelarin gjerman Kohl, i konsideruar edhe si një nga arkitektët kryesorë të ribashkimit të Gjermanisë.
“Kur ra Muri i Berlinit, ai burrë i madh nuk u tha gjermano-lindorëve: ‘Tani ju duhet të kaloni 35 kapituj para se të jemi bashkë.’ Ai tha: ‘Ne jemi bashkë dhe më pas do t’ju ndihmojmë të kaloni procesin.’ Të gjithë bashkë rreth tavolinës, por secili duhet të përmbushë punën dhe detyrat e tij që të marrë më shumë nga tavolina. S’u thua fëmijëve rri te fqinjët derisa të jesh gati për të ngrënë me ne. Fëmijët qëndrojnë të gjithë bashkë. Tashmë biseda ka avancuar me dokumentin franko-gjerman. Shpresoj që dy miqtë e mi të mëdhenj dhe liderët e respektuar të Francës dhe Gjermanisë të gjejnë më shumë energji për të qenë më shumë si Helmut Kohl dhe François Mitterrand.”
Ndërsa pyetjes mbi një parashikim për afatin e anëtarësimit, Rama iu përgjigj me një batutë:
“Kur Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka tre gjëra që nuk mund t’i parashikosh: Zotin, seksin dhe Bashkimin Europian.”
Gjatë qëndrimit në Tivat, kryeministri zhvilloi një bisedë edhe me kancelarin gjerman Merz dhe kryeministrin holandez Rob Jetten.
/tvklan.al












Botërori 2026 