Ndryshimi i mbështetjes së skemës për fermerët solli pakënaqësi tek përfituesit dhe akuza nga opozita se qeveria la pa naftë bujqësinë. Por kryeministri dhe drejtuesja politike e qarkut të Fierit u shpjeguan fermerëve të Krutjes në Lushnjë se skema e re parashikon kthimin mbrapsht të 10 përqind të vlerës së çdo fature që fermerët investojnë në tokën e tyre, duke u përkthyer në më shumë para për ta.
“Është e neveritshme që për hir të një lufte jo politike, por tribale, angazhohen për ta nxjerrë nga konteksti atë që themi. Jepni naftë, jepni naftë… Ajo që kemi bërë është shumë më shumë se jepni naftë. Nga ajo që kemi bërë deri dje, jo të gjithë përfituesit ishin ata që e meritonin dhe e përdornin për punë bujqësie, pasi skema e ndarjes ishte e lidhur me ndarjen e tokës. Nga 300 euro në 700–800 euro, nëse ai që shet paraqet faturën, merr 10 përqind të TVSH-së. Do të marrësh naftë, merr sa të duash. Ata që flasin janë të verbër dhe të ligj, duan të nxisin sherr ndaj qeverisë. Por ajo që po bëjmë është të komunikojmë me ju dhe përmes jush t’u komunikojmë të gjithë fermerëve se kemi një ofertë të re”.
Sipas kryeministrit, edhe Bashkimi Europian ka pasur kritika të vazhdueshme për skemën e mëparshme.
“Bashkimi Europian nuk e ka pranuar këtë skemë. Jemi kritikuar dhe e kemi justifikuar, por tani kemi ardhur në një fazë tjetër”.
Në fund të këtij muaji, Rama paralajmëron se do të bëhet publike edhe nisma e re që dyfishon ndërmarrjen, nga e cila përfitojnë edhe fermerët.
“Jo vetëm 52 milionë euro që kanë në fokus ata që bashkohen, jo vetëm rimbursimin dhe programin e ri me BE që do të futet së shpejti në proces, por edhe një program shumë domethënës në fund të prillit së bashku me Bankën e Shqipërisë, i cili thotë: dyfisho biznesin tënd deri në 2 milionë euro me interesa jo komerciale. Do të jetë kaq e madhe sa të jeni në gjendje të prodhoni”.
Ndërsa përsërit se nuk ka asnjë bllokim të procesit të negociatave me BE, Rama u kujton fermerëve se anëtarësimi, përveç përfitimeve, sjell edhe detyrime shumë të forta për prodhimin vendas.
“Do të hyjmë në një treg ku ka shumë mundësi, por që mund të jetë edhe vdekjeprurës, pasi do të kërkohet i njëjti standard. Do të vijë më shpesh se sa e imagjinoni dhe nuk ka asnjë bllokim. E dëgjoni ambasadorin e BE-së, nuk ka asnjë bllokim”.
Kryeministri zbulon se është arritur dakordësia në Bruksel që pas anëtarësimit, objektivi i qeverisë së tij është të finalizohet në vitin 2030, ndërsa fermerëve shqiptarë t’u jepet 5 vite kohë për t’u përshtatur me kërkesat e tregut europian.
“Kemi arritur të marrim një premtim që duhet ta nënshkruajmë për ta shtyrë 5 vite pas anëtarësimit për t’u adoptuar. Janë 10 vite… ikin shpejt, ja më pyesni mua”.
Thirrja e vazhdueshme e kreut të qeverisë, prej 13 vjetësh që është në pushtet, për fermerët është të bashkohen për të prodhuar më shumë dhe për të marrë më shumë fitime nga prodhimi i tyre.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 