Mandati i tretë do të jetë për Shqipërinë

Edi Rama nuk do t’i shpenzojë energjitë për akuzat e opozitës. Thotë se mandati i tretë do të jetë për Shqipërinë dhe në këtë kontekst dora e tij do të jetë e shtrirë për Partinë Demokratike.

“Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur!”

Në reagimin që vjen pas akuzave të Lulzim Bashës për manipulim të zgjedhjeve, kryeministri thekson se lufta e vjetër politike i mbetet së shkuarës dhe se qeveria do të ketë prioritete të tjera.

“Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët!Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë”.

Kryeministri Rama ka sqaruar se plani për të bashkëpunuar me opozitën synon reformat e rëndësishme për integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Tv Klan