Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të shtunë, më 25 prill, një takim me fermerët në Dibër. Ai shoqërohet nga ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Andis Salla.
Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ndërsa diskutimet fokusohen mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja për mbështetjen e këtij sektori, ku duhet të arrihet një standard i përgjithshëm prodhimi për tregun e BE-së.
Një nga fermerët në këtë takim iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke thënë se ka një lajm të mirë për të ndarë me të: krijimin e një Shoqërie të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) të fermerëve dibranë dhe bashkisë.
“Jemi në fazën e regjistrimit në gjykatë të kooperativës për qershitë, bashkia është bashkuar si aksionere. Kemi gjetur ambientin e përshtatshëm dhe të gjithë bashkë me hapjen e fondeve të IPARD-it do të aplikojmë si SHBB për të fituar pajisje dhe materialet e nevojshme, jo vetëm për paketimin dhe eksportin e qershisë, por edhe përpunimin e qershisë.”, tha fermeri. SHBB-ja e re e mban emrin “Dibra Origin”.
Fjalën më pas e mori vetë kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi këtë një fazë kur Shqipëria është e detyruar të hyjë dhe theksoi se nuk bëhet fjalë për kooperativa të ngjashme me ata të kohës së komunizmit, por në nivel BE-je.
“Kemi hyrë në një fazë kur nuk jemi më të dëshiruar, por të detyruar të hyjmë, që është faza e bashkimit.“, tha Rama duke e konsideruar shembullore krijimin e SHBB-së së re.
“Jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian. BE funksionon me kooperativa, por ndryshe nga ato të komunizmit, secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh. Kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësit.”, tha kryeministri, i cili shpjegoi se me këtë model, fermerët ndajnë kostot e punimit të tokës, përkujdesjes për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazjojnë dhe shesin.









Ai tha se për këtë arsye, qeveria ka vendosur t’i mbështesë krijimet e SHBB-ve të reja.
Kryeministri bëri shaka edhe për emrin e SHBB-së së re, duke thënë: “Bashkia është aksionere në atë që i kishit gjetur edhe emrin, sepse po bënim shaka aty thash vërjani ‘Dibra United’ si ‘Manchester United’ por ia kishit gjetur ‘Dibra Origin’. Të bashkohemi ndryshe nuk e përballojmë dot përballjen që vjen me integrimin. Ku do t’i shesim produktet, me çanta në rrugët e Brukselit? Si do të sigurohet siguria ushqimore?”
Paralajmërimi për kryebashkiakët: Mos rikandidoni po nuk bëtë 10 agroturizma dhe 3 SHBBB
Mes të tjerash, duke përmendur Paketën e Maleve, Rama iu drejtua kryetarit të bashkisë Rahim Spahiut duke i thënë se mos ta marrë mundimin të rikandidojë nëse nuk mundëson hapjen e 10 agroturizmave në Dibër, por edhe të 3 SHBB-ve.
“Nuk është më problemi tek paratë, problemi është tek aplikimi. Për pak muaj do të firmosim me bankat. Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkiave. Ua kam thënë, e dua shumë Rahimin, është dibran i mirë, ka ardhur këtu për të shërbyer pasi ishte në bankë, por ia kam thënë se po nuk bëtë 10 agroturizma dhe 3 shoqëri të bashkuara, as mos hajde të kandidoni më sepse bashkitë nuk janë më vetëm: shtro rrugë, vër drita, pastro plehtra dhe në fshat pastro kanale. Bashkitë duhet të jenë aleatët e fermerëve!”, tha Rama duke theksuar se 500 fituesit e parë që do marrin lejen do të jenë pa asnjë taksë.
“Nisma e re gati muajin tjetër”, Rama: Kredi me interesa të ulëta për ata që duan të hapin ferma
“Ne do jemi shumë mbështetës dhe përveç fondeve të tjera që përmendi ministri, do kalojmë në fund të muajit dhe në fillim të muajit tjetër një program të ri me bankat e nivelit të dytë dhe BSH, i cili quhet ‘Dyfisho ndërmarrjen tëndë’ që do ofrojë kredi me interesa më të ulëta se kreditë komerciale dhe të garantuara nga qeveria shqiptare për të gjithë ata që duan të rrisin fermën e tyre, që përqendrohen te prodhimi, te agropërpunimi dhe agroturizmi.”, tha Rama.
Ai shtoi se ka ardhur koha “të vrapojmë” sepse sipas tij “kjo historia e BE-së për fermerët është ose bekim ose mallkim”.
Kjo sepse sipas Ramës, ata që do jenë gati për ta përballuar soituatën do të jenë të bekuar. Ata që nuk do të jenë gati do të mbyllen, sepse nuk do të përballojnë dot kërkesat e tregut europian. Ai shtoi se të basghkuar mund të përballohen të gjitha.
“Dibra model”, Salla: Duhet bashkim! Këtë vit mbështetja ka shkuar 50 milionë euro
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë takimit të zhbilluar këtë të shtunë, e vlerësoi modelin e këtij qarku të krijimit të Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), si një shembull konkret suksesi, veçanërisht në sektorin e fruta-perimeve.
Ai bëri të ditur se ky projekt mbështetet nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Banka Botërore, ndërsa tashmë janë lidhur kontrata me subjekte që grumbullojnë dhe tregtojnë prodhimet përmes këtyre strukturave.
Ministri prezantoi gjithashtu risitë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për bujqësinë, duke bërë të ditur se buxheti i saj është 5.2 miliardë lekë dhe përfshin mbështetje për një gamë të gjerë sektorësh.
Më tej, ministri Salla bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë mbështetur rreth 440 aplikime në sektorë të ndryshëm, përfshirë mekanizimin bujqësor dhe agroturizmin, ndërsa këtë vit fondi i përgjithshëm arrin në 52 milionë euro (lexo më shumë).
Në takim i pranishëm është edhe deputeti socialist Ulsi Manja, i cili mes batutash u shpreh: “Sa herë të vijë në Dibër dhe sa herë të na jepet mundësia për ta falënderuar, nuk është asnjëherë e tepërt.”
Ai i konsideroi fermerët më “Duarartët dhe njerëzit më të zotët e Dibrës!”.












Botërori 2026 