Në ditën e dytë të qëndrimit në Greqi, kryeministri Edi Rama u takua me kryeministrin grek Kiriakos Mitsotakis.
Kreu i qeverisë shqiptare u prit nga homologu grek në pallatin qeveritar “Maximos”. Të dy liderët zhvilluan një takim kokë më kokë që zgjati për afro 40 minuta.
Tirana dhe Athina do të lidhin një marrëveshje partneriteti strategjik për të cilin janë angazhuar ekipet e ministrive të jashtme të dy shteteve. Gjatë bashkëbisedimit me homologun e tij, kryeministri Edi Rama nenvizoi se po punohet per ceshtjet e mbetura pezull mes dy vendeve.
“Dua t’ju falënderoj sinqerisht për mbështetjen. E vlerësojmë shumë. Dhe, po, jemi shumë të etur të vazhdojmë dhe të përfundojmë atë për të cilën kemi rënë dakord së bashku, një dokument të guximshëm partneriteti strategjik ku të gjitha çështjet adresohen dhe nuk ka më çështje të pazgjidhura midis nesh, ndërsa duam të bashkohemi me Bashkimin Evropian dhe ta bëjmë këtë rajon shumë më të rëndësishëm edhe në këtë nivel”, tha Rama.
Ndersa kryeministri Mitsotakis shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
“Është gjithmonë kënaqësi t’ju mirëpres në Athinë, i dashur Edi, me rastin e pjesëmarrjes suaj në Forumin Ekonomik Delphi. Është gjithmonë mirë të na jepet mundësia të vlerësojmë progresin e rëndësishëm që kemi bërë në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në rrugën e vështirë që keni ndjekur drejt Bashkimit Evropian”, tha Mitsotakis.
Ndërsa nuk munguan as batutat.
“Është një nder të jem këtu dhe kërkoj ndjesë që nuk u vesha aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Prandaj shpresoj që media greke të mos e perceptojë ndryshe, përveçse si mungesë informacioni të mirë nga protokolli im”, tha Rama
“Ne e pranojmë që ju jeni gjithmonë shumë shpikës në mënyrën se si visheni, dhe kjo na pëlqen”, tha Mitsotakis.
Ndër çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve është adresimi i kufinjve detare, për të cilët palët, kanë rënë dakort për tju drejtuar gjykatës ndërkombëtare. Siç deklaroi edhe ministri i jashtëm Ferit Hoxha pak ditë më parë, palët do ti paraqesin argumentat e veta në gjykatë ndërsa është krijuar edhe një ekip i posaçëm për të evidentuar problematikat që kanë të bëjnë me të drejtën e detit.
Takimi konsiderohet i një rendësie të vecantë jo vetëm për intensifikimin e dialogut politik dhe ekonomik por edhe mbështetjen që Athina do i japë Tiranës në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Kryeministri Rama po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Delphit, një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, që çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota.
Gjatë punimeve të Forumit, në një ceremoni të vecantë, do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe Koorporatës Greke të Aseteve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 