Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kreu i qeverisë ndau në rrjetet sociale një mesazh, ku vlerëson marrëdhënien me kreun e NATO-s dhe fjalët inkurajuese për Shqipërinë.

“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s”, tha Rama.

Agjencia për Median dhe Informimin pranë Qeverisë bën të ditur se në këtë takim u rikonfirmua mbajtja në Tiranë e Samitit të radhës të NATO-s, në vijim të vendimit të marrë nga vendet aleate. Samiti i radhës i NATO-s në Tiranë do të vendosë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të diskutimeve strategjike për të ardhmen e sigurisë kolektive, duke konfirmuar rëndësinë e rajonit për stabilitetin dhe sigurinë euroatlantike.

Një tjetër çështje me rëndësi strategjike ishte zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe përbën një komponent të rëndësishëm për lëvizshmërinë, gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e krahut juglindor të NATO-s. Në këtë kuadër u trajtua edhe rëndësia e projektit të Porto Romanos për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike në mbështetje të nevojave strategjike të Aleancës.

Mes Ramës dhe Rutte-s në fokus ishte thellimi i bashkërendimit me NATO-n në përballimin e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si sfida që kërkojnë një përgjigje gjithnjë e më të koordinuar mes vendeve aleate.

Tv Klan

/tvklan.al