Edi Rama deklaroi pak ditë pas nisjes së protestës se do të reflektonin si mazhorancë për kërkesat e atyre qytetarëve që nuk janë çdo pasdite në bulevard për agjenda të caktuara politike apo faktorë të huaj, dhe sot pohoi se janë duke marrë në shqyrtim çdo pjesë të shqetësimeve qytetare.

Një pjesë e atyre që protestojnë, sipas tij, janë aty për shkak të mohimit të shërbimeve të detyrueshme nga administrata shtetërore apo sektorë të tjerë publik. Për ilustrim solli historinë e një të moshuare, e ëma e një miku të tij, që del në protestë sepse ndihet e nëpërkëmbur në poliklinikat shëndetësore ku është e detyruar të shkojë në mënyrë periodike.

“Po ti, çfarë bëre ti në protestë, për çfarë shkove ti në protestë”. Dhe e ëma i tregon atë që besoj unë, duke parë dhe episode të tjera që ne po i mbledhim, thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për një arsye apo për një tjetër nuk e kam mirë parasysh tani të natyrës shtetërore, asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë dhe duke qenë se si ajo ka dhe të tjerë që e dinë praktikën që ndjek mjeku që duhet të kujdeset për ta, njerëzit shkojnë atje që në orën 5, që në orën 6 të mëngjesit. Pse? Sepse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që duke qenë përpara në radhë të kenë mundësinë që ai t’i shohë, se mjeku, e para nuk vjen në orar, vjen gjithmonë një orë, dy orë mbrapa. Pra ata njerëz presin nga ora 5 – 6 e mëngjesit deri nga ora 9 – 10, të moshuar. E dyta, mjeku nuk rri deri në fund të orarit po mbasi trajton tre katër prej tyre ikën. Dhe kjo grua në moshë, një gjyshe del në protestë sepse është e fyer dhe fyerje është fjalë e lehtë në fakt sepse fyerja është një herë, ky është një poshtërim. Dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt”.

Kryeministri thotë se arrin të kuptojë zemërimin e qytetarëve, të cilët jo domosdoshmërisht duhet të tërhiqen zvarrë si në rastin e Zvernecit për të kërkuar të trajtohen me dinjitet.

“Nuk ka rëndësi sepse mjafton t’i ndodhë dikujt, nuk ka nevojë ‘’të tërhiqen zvarrë’’ të gjithë njerëzit që kanë diçka për të thënë, mjafton ‘’të tërhiqet njëri zvarrë’’ siç ndodhi në atë momentin skandaloz dhe kjo rezonon me të tjerët sepse kjo nëna, kjo gjyshja nuk tërhiqet zvarrë fizikisht, por tek ai njeriu që tërhiqet zvarrë atje, ndihet pjesë sepse ndërkohë është ky mjeku këtu që ‘’i tërheq zvarrë” atë dhe moshatarët, bashkëmoshataret e saj që me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën që u jep fakti që kanë kontribuuar për këtë vend, kërkojnë atë shërbimin minimal”.

Në aktivitetin e organizuar për Javën e Administratës Publike, ai pranoi problemet që ende ekzistojnë, por shtoi se kjo është një luftë me sistemin dhe jo me individët që janë pjesë e administratës.

“Por të veprosh për ta ndryshuar këtë, është shumë më komplekse sesa ç’ mund të mendohet, sepse nuk është një çështje reagimi i menjëhershëm, ashtu sikundër lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht një çështje burgu apo varje me litar siç së fundi ka filluar të gjenerohet edhe kjo nga, kuptohet, segmente që nuk kanë lidhje me atë drejtëzën shumë të gjatë që përbën gjithë komponentët e këtij moment. Duhet që sistemi të të mbrojë dhe fiks ajo që po ndodh sot në Shqipëri dhe që humbet në mjegullën dhe në tymin e shumë gjërave që bëhen bashkë, është që sistemi për herë të parë, po lufton me Sistemi po e lufton korrupsionin dhe jo voluntarizmi këtu dhe atje, gjë që natyrisht është shumë e dhimbshme, gjë që natyrisht, është njësoj si një therje në sy të të gjithëve që krijon turbullirë, krijon neveri, krijon pisllëk, ndjenjën e pisllëkut sepse faktikisht kjo gjë po ndodh. Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë, që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe kjo nuk është  një arsye për të kërkuar gijotinën sepse të gjitha sistemet që në fund përfunduan në “ferr” për popujt që u ekzaltuan nga ideja e drejtësisë së atypëratyshme dhe që shkuan tek plumbi ballit apo tek gijotina, na kanë mësuar që kjo e demokracisë dhe e balancimit të pushteteve dhe e ndërtimit të një sistemi që garanton gjithkënd dhe garanton madje edhe të akuzuarin, është e vetmja rrugë për të garantuar brezat”.

Shpëtimin për ndërtimin e sistemeve të forta, kryeministri e sheh te digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale, që po ndryshojnë hallka si kadastra apo prokurimet publike, të njohura gjerësisht si vatra korrupsioni.

Tv Klan

/tvklan.al