Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një reagimi në rrjetet sociale se thirrja për rrjetin MIA është mbyllur me një sukses absolut, duke mbledhur plot 245 aplikime. Sipas kreut të qeverisë, interesimi ka qenë i lartë nga një gamë e gjerë aplikantësh, ku përfshihen ekselentë të sapodiplomuar, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike dhe studio të dizajnit grafik.

Në idetë e paraqitura përfshihen propozime për ta bërë më të thjeshtë gjuhën e shtetit dhe më të kuptueshëm informacionin për qytetarët, për të krijuar video informatike më sistematike, si dhe për të integruar inteligjencën artificiale e formate më kreative në rrjetin MIA.

“Thirrja për rrjetin MIA u mbyll me një sukses absolut: Plot 245 aplikime nga ekselentë të sapodiplomuar, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike, studio dizajni grafik, dhe të tjerë akoma. Kanë ardhur ide për ta bërë më të thjeshtë gjuhën e shtetit, më të kuptueshëm informacionin për qytetarët, më sistematike videot informatike, më prezente inteligjencën artificiale dhe më kreativ në formate rrjetin MIA”, tha Rama.

Përmes një note ironike ndaj kritikëve që e cilësojnë këtë nismë si pjesë të makinerisë shtetërore, Rama ka ngritur pyetjen se si ka mundësi që ekziston gjithë kjo dëshirë për të punuar me atë që e quajnë “agjencia e propagandës së regjimit”. Ai ka saktësuar se ose “regjimi” e ka harruar zanatin e terrorit, ose propaganda e tij ka dështuar, ose përralla e “regjimit” nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë.

“Dhe këtu lind pyetja e madhe: Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me “agjencinë e propagandës së regjimit”? Ose “regjimi” e ka harruar fare zanatin e terrorit, ose propaganda e regjimit ka dështuar ose pastaj përralla e “regjimit” nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë”, shtoi ai.

/tvklan.al