Në fjalimin e tij gjatë nisjes së fushatës për Partinë Socialiste, kryeministri Edi Rama nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarin e tij politik Lulzim Basha. Ishte planifikuar që PD-ja ta niste fushatën zyrtarisht në orën 17:30, por u vonua me 30 minuta. Kjo sipas Ramës ka shkaktuar edhe vonesën e Partisë Socialise, ndërsa u shpreh se selia që ai drejton nuk është mësuar të vonohet.

“Merreni me mend çfarë mund të presësh nga dikush që lë 1 orë në të ftohtë njerëzit që i mbledh vetë. Natyrisht po flinte gjumë. Në mungesë të dhëndrit dasmorët dëgjonin britma, klithma, pasthirrma. Si mund të pretendohet në shekullin e 21, në vitin 2021 të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri dhe të qeveriset me britma, me klithma dhe me pasthirrma. Atyre që shohim këto dy kartolina u them nëse doni të dini se çfarë e pret këtë vend, nëse ata do të vinin përsëri në krye, shikoni sheshin “Nënën Tereza”, bllokim total dhe ngatërrim me këmbët e veta e secilit, ndërkohë që ai që duhet tu lehtësojë qarkullimin është në fakt kapësi përkëmbësh i të gjithë atyre. Faktikisht po të shohësh vonesën është shumë domethënëse, sepse ata janë shkaktarët e të gjithë vonesave të këtij vendi madje edhe të fillimit me pak vonesë të takimit tonë. Sepse gjithmonë ka pasur një traditë një orë njëri, një orë tjetri. Ndërkohë që sot nuk u mor vesh se ka tre ditë që ndryshojnë orë. Prapë se prapë na vonuan, pak minuta, po pak minuta vonesë për ne janë shumë, ne nuk jemi mësuar të vonohemi sepse Shqipëria është vonuar shumë. Për shkak të tyre dhe arsyeja pse ne kemi marrë një mandat, dy mandate dhe do marrim mandatin e tretë është se Shqipëria nuk mund të vonohet më prej tyre. Këtu ka qytetari, këtu ka shije, pavarësisht se jemi në vështirësi. Këtu ka një përmasë njerëzore të të qenit së bashku dhe të dëshirës për të qenë së bashku me shumicën e shqiptarëve. Në këtë kartolinë, shqiptarët që na ndjekin dhe meqë ra fjala për ata që nuk e dijnë, janë rreth 20 mijë që aktualisht janë këtu përmes Facebook, shohin disa njerëz të mbledhur me kujdes, me distanca, me vetëdije për kohën që jetojnë, dhe në anën tjetër shikojnë diçka të vështirë për t’u deshifruar deri në fund sesi mund të ndodhë kur sot në hartën e Evropës treçereku i vendeve janë më ngjyrë të kuqe të mbyllura në çdo aktivitet të tyre. Unë isha në Paris, ishte një qytet fantazmë, as dyqane, as restorante as grumbullime, absolutisht asgjë. Të gjithë në shtëpi dhe kështu janë kudo rreth e rrotull, ndërkohë qe këtu janë dy botë. Patjetër që fushata elektorale është sfidë, përballja është një sfidë, por sfida e sfidave është fitorja mbi armikun e padukshëm, zmbrapsja e virusit nga jetët tona. Të tjerat vijnë të gjitha”, tha Rama.