Shqipëria u bë zyrtarisht pjesë e Bordit të Paqes, duke u rreshtuar mes vendeve themeluese të kësaj organizate ndërkombëtare, të krijuar nga presidenti i Amerikës, Donald Trump.

Në sallën ku ishin mbledhur liderë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, kryeministri Edi Rama e cilësoi një nder të veçantë faktin që Shqipëria është mes vendeve themeluese të këtij Bordi.

“Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President. Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë për sa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese të kësaj organizate të re”.

Ai u ndal fillimisht te debati që ka shoqëruar krijimin e kësaj nisme, duke e konsideruar si një strukturë që mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara. Sipas tij, kjo nuk është fryma e saj.

“Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por mua nuk më duket si një përpjekje për të”.

Gjatë fjalimit, kryeministri Rama u ndal te dialogu Kosovë–Serbi, duke kujtuar përpjekjet gjatë mandatit të parë të Trump për një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Ai përmendi situatën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili prej vitesh ndodhet në paraburgim në Hagë.

“Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykatë e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme edhe këtu. Duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare. Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e taksapaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të – një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës”.

Kryeministri shqiptar e cilësoi procesin si problematik dhe apeloi për ndërhyrje nga presidenti amerikan përpara se të prodhohen pasoja të rënda për stabilitetin rajonal.

“Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës, dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike. Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”.

Ndër të tjera, në fjalimin e kryeministrit Rama kishte edhe një mirënjohje për presidentin Trump, veçanërisht për shuarjen e konfliktit në Gaza.

“Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj. Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejt me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë. Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës, që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë – jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë edhe arkitektët e tyre, në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese”.

Takimi u përmbyll me një bisedë të shkurtër të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, së bashku me presidentin Donald Trump dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Klan News

/tvklan.al