Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Parisit, me ftesë të presidentit francez Emanuel Makron, pasi nesër do të marrë pjesë në edicionin e nëntë të “Forumit të Paqes”.
Pas pritjes zyrtare, mbrëmjen e sotme, Rama dhe Macron kanë pasur edhe një takim dypalësh.
Për dy ditë, liderë dhe përfaqësues nga e gjithë Evropa do të mblidhen për të diskutuar mbi sfidat globale.
Rama do të jetë pjesë e një sesioni të posaçëm, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në BE për brezat e rinj.
Ai do të jetë gjithashtu pjesë e Seancës Plenare të Forumit të Paqes me temë “Nga Sovraniteti te Bashkëpunimi”, i cili do të trajtojë dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Forumi i Paqes është një platformë ndërkombëtare që këtë vit sjell në vëmendje rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kontekst të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.
Edicioni i këtij viti u kushtohet veçanërisht fëmijëve, duke e vendosur mbrojtjen dhe mirëqenien e brezit të ri në qendër të agjendës globale.
/tvklan.al












Botërori 2026 