Fjalën në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të mbajtur këtë të shtunë në Durrës, kryeministri Edi Rama e nisi me çështjen e çmimit të naftës, për të cilin tha se qeveria do të ndërhyjë me uljen 20% të akcizës sapo ai të kalojë tavanin e 220 lekëve për litër.
“Për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve, do të ketë menjëherë një ulje me 20 përqind të akcizës së naftës”.
Rama theksoi se çmimi i naftës parashikohet të rritet, ndaj është vënë në lëvizje Bordi i Transparencës, ndërsa njoftoi edhe krijimin e një enti shtetëror që do të ndërhyjë në treg.
“Do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore, tek monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe patjetër edhe tek sigurimi i furnizimit, për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet”.
Shqiptarët, sipas kryeministrit, do të thirren në referendum për të ulur numrin e deputetëve, duke kërkuar miratimin e ligjit brenda këtij sesioni parlamentar.
“Nuk besoj se ka shqiptar që do të thoshte “na duhen më shumë deputetë”, por besoj se nuk ka shqiptar që nuk do të thoshte “na duhen më pak deputetë”. Dhe ne do ta zbresim numrin e deputetëve. Jemi vonë, por prapë kemi të gjithë kohën e nevojshme që t’i thërrasim shqiptarët në referendum. Duhet të çojmë përpara ligjin e munguar për referendume”.
Kryeministri theksoi se negociatat me Bashkimin Europian nuk do të ndalen, duke shigjetuar edhe opozitën.
“Duan apo s’duan ata që s’duan, dhe kur mos duan në negociatat me BE, do ta mbyllim brenda mandatit tonë. Dhe nuk ka mërgatë qyqesh në Berlin që na ndal në këtë proces. Nuk ka mërgatë qyqesh në Bruksel që e ndal Shqipërinë në këtë proces”.
Drejtësia, sipas kryeministrit, është e pavarur, por i mungon profesionalizmi.
“Drejtësia sot është e pavarur. Si një drejtësi e pavarur nuk është e mjaftueshme për të garantuar një demokraci funksionale dhe një shtet të së drejtës, pasi drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale. Dhe në këto të tjerat ka shumë për të bërë akoma, aq më tepër që drejtësia jonë është pavarësuar në një shtrat të përgjakur dhe të ndyrë”.
I bindur u shpreh për një fitore të thellë në zgjedhjet vendore të vitit 2027, por bëri një paralajmërim për kryebashkiakët aktualë që do të kërkojnë rikandidim.
“Nuk do të ketë asnjë kandidat që do të marrë miratimin për t’u rikandiduar si kryetar bashkie pa 10 kontrata të firmosura në kuadrin e paketës së maleve dhe pa 3 ndërmarrje të përbashkëta të miratuara”.
Si pjesë e ristrukturimit të qeverisjes, tha se do të preken edhe prefektët, të cilët do të marrin më shumë kompetenca.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 