Prona për të cilën u përplasën dy biznesmenët në Vlorë do të kthehet në parkun e ullirit.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tha se zona do të shpronësohet për interes publik. Sipas tij, toka që ndau dy investitorë fqinj do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonë e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme, dhe sipas ligjit ta kthejmë në aset publik e turistik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë, ku do të mbillen e ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe të Mesdheut, do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re dijeje e turizmit të eksperiencës, një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinj, duke pështirosur tërë Shqipërinë, një hapësirë që do t’i bashkojë të gjithë, një territor paqeje nën hijen e Pemës së Paqes, pemës së ullirit.”
Kryeministri e cilësoi konfliktin tejet banal e brutal, dhe kurrsesi thotë se nuk duhet të jetë kjo fytyra e Shqipërisë turistike.
“Historia e djeshme e konfliktit banal mes dy ndërtuesve në Vlorë, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore në fjalë, na ka bindur që jo vetëm duhet t’i japim fund asaj historie, por dhe duhet t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që s’mund të cenojnë me qasje e sjellje lënduese atë që është mision kombëtar i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik dhe imponon të gjitha këto vetvetiu, në radhë të parë nga investitorët tek kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar edhe me njëri-tjetrin, lëre me shoqërinë shqiptare dhe vizitorët e panumërt.”
Ai paralajmëron se sjelljet arrogante, konfliktet, zhurmat dhe cenimi i hapësirave të përbashkëta nuk do të tolerohen, duke i cilësuar si një vijë të kuqe për modelin e turizmit që kërkon Shqipëria.
“Banaliteti dhe brutaliteti duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e misionit kombëtar, dhe autorët e veprimeve lënduese, me harbutllëk mbi klientët, papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët, akte arrogance, zhurma dhurmuese duhet të bëhen shembull të një vije e kuqe të domosdoshme për Shqipërinë turistike.”
Konflikti mes dy biznesmenëve ndodhi edhe në sy të dhjetëra pushuesve nga vendi dhe bota.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 