“Nuk ka pasur asnjë shqetësim nga dozat e mbërritura në Shqipëri”

Pavarësisht hezitimit që ka ngjallur vaksina AstraZeneca, në 41 shkolla në mbarë vendin vijon injektimi i saj tek mësuesit.

“Janë bërë miliona në Britani kështu që mos u shqetësoni”.

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Kryeministri Rama, ishte në Durrës për të parë nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve të këtij qyteti.

Rama qetësoi mësueset se vaksina AstraZeneca që ka marrë Shqipëria nuk është e të njëjtit numër serie me ato të shpërndara në vendet ku është pezulluar përdorimi i saj.

Për kreun e qeverisë nuk ka arsye për panik, pasi AstraZeneca përdoret nga disa vende në Evropë, përfshi edhe Britaninë e Madhe, vend që vijon vaksinimin masiv të popullatës.

“Unë sot po flisja me Londrën, është që aty janë bërë miliona vaksina AstraZeneca e nuk ka fare asnjë shqetësim nga askush dhe Agjencia Britanike e ka ri konfirmuar dhe vazhdon vaksinimin.

Kjo është luftë e madhe për jetën, por është dhe luftë e madhe tregtare, nuk diskutohet. Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmuar sot prapë që do vazhdojnë sepse nuk ka asnjë evidencë shkencore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjesht për një dyshim që lidhet me një seri tjetër”.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria është në pritje të rekomandimeve zyrtare të OBSH-së dhe EMA-s.

“Të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, presin konfirmimin e OBSH-së dhe të EMA-s. EMA është Agjencia Europiane e Barnave që deri më tani ka konfirmuar vetëm vlerën dhe dobinë e vaksinës dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë luhatje. Nëse do thonë ndaloni, do ta ndalojmë”.

Deri tani janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit. Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim.

Tv Klan