Shqipëria do të përdorë Inteligjencën Artificiale në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Deklaratën e bëri kryeministri Edi Rama në prezantimin e një marrëveshje të firmosur me një kompani franceze ,e cila do të ndihmojë në projektet e transformimit dhë zhvillimit. Për Ramën, përqafimi i Inteligjencës Artificiale është pikë kyçe në momentin ku ndodhet Shqipëria.
“Duke përdorur Inteligjencën Artificiale po e bëjmë këtë punë në një mënyrë shumë të ndryshme, me një shpejtësi krejt tjetër sepse vetëm për të transpozuar korpusin ligjor të Bashkimit Europian sikur edhe mekanikisht në korpusin kombëtar legjislativ do të kërkonte një ushtri përkthyesish, një ushtri hartuesish, ligj shkruesish e shumë njerëz të tjerë. Për Kroacinë që në fakt pati një rekord mbresëlënës, për t’u bërë anëtar në BE iu deshën 7 vjet, ne duam ta bëjmë edhe më shpejtë sepse po krijojmë modelin që jo vetëm transpozon në kohë reale, por është i aftë të na japë atë çfarë quhet pajtueshmëria me legjislacionin tonë.”
Automatizimi i procedurave duke nisur që nga administrata publike, dhe ofrimi i shërbimeve të digjitalizuar për qyterarët për Ramën është progres. Por transformimi dixhital nuk do të ndalet, veçanërisht tek prokurimet.
“Ishim të fundit në rajon sa i takon cilësisë së integritetit të prokurimeve. Bazuar në vlerësimin e fundit të SIGMA-s që vepron në emër të BE jemi kryeses në rajon tashme me 80 nga 100 pikë. Po punojmë me Microsoft-in për të përgatitur prokurimin me inteligjencë artificiale 360 gradë, që praktikisht do jetë modeli i parë në Europë i prokurimeve pa kontakt njerëzor në 95% të procesit. Shpresojmë që deri në fund të vitit tjetër ajo do të jetë gati për të funksionuar e pastaj asnjë vend mesdhetar i BE nuk mundet të na thotë që kemi probleme me integritetin e prokurimeve publike sepse mund t’i sfidojmë e pastaj do të ndiheshin në turp.”
Kompania franceze “Inetum Consulting” ka një ekip prej 450 ekspertësh nga fusha të ndryshme dhe operon në disa vende të Evropës, si Franca, Spanja dhe Belgjika, si dhe në Afrikën e Veriut. Bashkëpunimi vjen në kuadër të javës Javës Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale të Gjelbër.
Tv Klan