Pastrimi i parave është një nga femomenet me shqetësuese në vendin tonë dhe kjo gjë evidentohet edhe në raportin e SPAK për vitin 2024 të dorëzuar në Kuvend.
Në dokumenta thuhet se kjo vepër penale është e lidhur më shumë me krimin e organizuar dhe aplikohet kryesisht nga ata që janë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, si në vendin tonë ashtu edhe me aktivitet kriminal në Itali, Gjermani, Spanjë, Belgjikë, dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Një ndër tendencat e theksuara të pastrimit të parave është përdorimi gjithnjë e më në rritje i kryerjes së pagesave të blerjes së sasive të konsiderueshme të kokainës nëpërmjet kriptovalutave.
Kjo mënyrë është aplikuar nga grupet kriminale që veprojnë në qytetet e Tiranës, Fierit, Vlorës, Durrësit, Lezhës, Fushë-Krujës dhe Rrëshenit.
SPAK i sqaron Kuvendit se 4 janë mënyrat kryesore që janë konstatuar për veprën penale të pastrimit të parave. Futja e parave në sistemin bankar është mënyra e parë. Prokuroria sqaron se kjo skemë nis me përdorimin e parave në dorë, ose pagesave nëpërmjet kriptovalutave. Këto fonde të dyshimta hidhen në qarkullim përmes shoqërive tregtare.
Shumat e mëdha të parave më pas konvertohen në transaksione të cilat kryhen nëpërmjet shoqërive tregtare që u konvertuan në transaksione të ligishme në letër, duke i dhënë atyre pamjen e veprimeve legjitime financiare. Pagesat nëpërmjet kriptovalutave kryhen ose direkt ose nëpërmjet shoqërive të këmbimit valutor.
Mënyra e dytë ka të bëjë me mekanizmin e shtresëzimit. Skema nis me kryerjen e një sërë veprimesh nëpërmjet bankave midis llogarive të shoqërisë dhe atyre personale, duke krijuar një mjegullnajë financiare. Po ashtu përdoren fatura fiktive, ku shoqëritë tregtare të ngritura për të maskuar pastrimin e parave lëshojnë dokumente të falsifikuara për të justifikuar transaksione që në realitet nuk kanë ndodhur kurrë.
Mënyra e tretë është legjitimimi përmes investimeve. SPAK thekson se pasi paratë e pastruara maskohen me sukses, ato më pas investohen në pasuri të paluajtshme. Pasuritë e blera shpesh përfshiheshin në shitblerje të përsëritura apo marrëveshje huadhënieje, duke krijuar një zinxhir të rremë transaksionesh që legjitimonin të ardhurat.
Mënyra e fundit është ajo e investimeve të ndryshme. Prokuroria e Posaçme thekson se nga analiza e disa skemave kriminale të pastrimit të parave, investimet kryesisht maskohen në blerje të një shumëllojshmërie asetesh të shpërndara në disa qytete, kryesisht apartmente, njësi tregtare, ullishte, pemëtore, shoqëri tregtare, automjete luksoze, automjete të blinduara, bizhuteri, flori, ora të markave të shtrenjta, kriptovaluta.
Klan News