Përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Mesdheun Lindor

Zhvillohet këtë të Martë në Athinë, raundi i 62-të i bisedimeve teknike mes Greqisë dhe Turqisë për mosmarrëveshjet për territoret detare në Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Gjetja e pikave të ndërmjetme në çështjet teknike i hap rrugë negociatave të rangjeve më të larta për dhënien e zgjidhjeve përfundimtare për këto mosmarrëveshje që rrezikuan futjen e dy vendeve në luftë të paprecedentë vitin e kaluar mes dy anëtarëve të NATO-s.

Greqia synon që zgjidhjet të jepen në bazë të konventave ndërkombëtare, ndërsa Turqia kërkon fillimisht demilitarizimin e ishujve të Egjeut që janë vetëm pak kilometra larg brigjeve lindore turke.

Po ashtu Ankaraja është kundër zgjerimit të kufirit detar grek me 12 milje dhe kërkon që në ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor të merret parasysh ekzistenca e Republikës turke të Qipros Veriore, çka për palën greke është e padiskutueshme.

Bisedimet teknike mes palëve u rikthyen më 25 Janar kur u zhvillua raundi i 61-të në Stamboll, pas 5 vitesh ndërprerjeje, me nismën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Në vizitën e tij në fillim të Janarit në Turqi Rama i ofroi ministrit të jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, ndërmjetësim për të takuar homologun grek Nikos Dendias në Tiranë. Palët e pranuan ofertën, por takimi mes kryediplomatëve ende nuk është përcaktuar.

Tv Klan