Vuçiç: Gati të ulemi sapo të hiqet taksa

Serbia do të duhet të pyetet për Kosovën. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar edhe pas insistimit të disa vendeve të BE-së për përshpejtimin e procesit.

Këto komente Vuçiç i ka bërë derisa Kuvendi i Kosovës po zgjidhte qeverinë e re, gjatë një vizitë të tij në zonën e Novi Pazarit, jo shumë larg kufirit në veri. 

“Është reale të ulemi. Ata duhet të plotësojnë kushtet. Këto nuk janë kushtet tona, por kushte civilizuese që të mos ekzistojnë taksa dhe asnjë limit në qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve. Kur ta bëjnë këtë unë jam i gatshëm gjithmonë”.

Serbët presin që Kosova të heqë çdo pengesë dhe vendime që pengojnë vazhdimin e negoaciatave. Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, ka thënë se shpreson që institucionet e Kosovës të jenë të përgjegjshme.

“Të jenë mjaft të përgjegjshëm mbi të gjitha ndaj qytetarëve të tyre, të mos kenë politikë populiste dhe të mendojnë se çfarë duhet bërë që në ekonomi i tërë rajoni, e në veçanti Kosova dhe Metohia, të qëndrojnë më mirë”.

Një porosi të veçantë për institucionet e Kosovës e ka patur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, duke theksuar se as koronavirusi nuk i ndalon.

“Këta në Prishtinë janë gëzuar për pandeminë sepse mendojnë se nuk mund të punojmë për tërheqjet e njohjeve. Mendoj se nuk janë të vetëdijshëm sa e gënjejnë veten”.

Serbia do të ketë zgjedhje pas tri javësh dhe pritet që më pas shpejt të formohet qeveria e re dhe kthimi i vëmendjes tek negociatat.

Tv Klan