Marrëveshja paraprake mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka sjellë reagime të menjëhershme nga krerët e diplomacisë botërore.
“Ky zhvillim është një kthesë potenciale për përfundimin e luftës,” u shpreh Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Sipas saj ky pakt do të sjellë çtensionim të situatës që ditën e premte.
“Është tejet e mirëpritur dhe i mbajmë gishtat kryqëzuar që marrëveshja të inicializohet gjithashtu të premten, sepse të gjithë kanë nevojë që Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur dhe që kjo luftë realisht të ndalojë. Kjo është diçka shumë e mirëpritur dhe shpresojmë që do të zgjasë”, tha Kallas.
Në të njëjtën linjë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një reagimi zyrtar, kërkoi zbatimin e shpejtë të paktit nga të gjitha palët ndërluftuese.
“Përshëndes marrëveshjen e arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, rezultat i një përpjekjeje diplomatike në të cilën kanë kontribuar disa partnerë. Bëj thirrje për zbatimin e shpejtë dhe të plotë të saj nga të gjitha palët. Kjo marrëveshje duhet të mundësojë rihapjen urgjente dhe të pakushtëzuar të Ngushticës së Hormuzit. Rifillimi i trafikut detar, pa kufizime ose tarifa, është një kusht i domosdoshëm për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale. Franca është e përgatitur të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj”, tha Macron.
Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi përpjekjet diplomatike, por tërhoqi vëmendjen te nevoja për të shtrirë efektet e armëpushimit edhe në vatrat e tjera të nxehta të rajonit.
“Mirëpres marrëveshjen e arritur mes SHBA-së dhe Iranit, pas përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike. Prioriteti tani është zbatimi i plotë nga të gjitha palët. Ky akord duhet të lejojë rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit. Liria e lundrimit pa taksa është thelbësore për stabilitetin rajonal. Po ashtu, nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme për sa kohë Libani është në flakë. Evropa bën thirrje për respektimin e sovranitetit të Libanit”, tha Von Der Leyen.
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka përgëzuar presidentin amerikan, Donald Trump për sigurimin e një marrëveshjeje me Iranin, ndërsa nënvizoi se është jetike që të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 