Florentino Pérez është rizgjedhur president i Real Madridit dhe do të qëndrojë në krye të klubit deri në vitin 2030.

Presidenti aktual fitoi zgjedhjet me 65 për qind të votave, duke mposhtur rivalin e tij Enrique Riquelme.

Ky do të jetë mandati i tetë i Pérez në krye të klubit madrilen. Gjatë 23 viteve të drejtimit të tij, Real Madridi ka përjetuar sukseset më të mëdha sportive dhe financiare në historinë moderne.

Në aspektin sportiv, Florentino Pérez ka premtuar një Real Madrid edhe më të fortë dhe konkurrues për sezonet e ardhshme.

Sipas raportimeve, José Mourinho mund të rikthehet në pankinën madrilene, me synimin për ta rikthyer ekipin në majën e futbollit spanjoll dhe europian.

Ndërkohë, merkatoja pritet të sjellë përforcime të rëndësishme, me emra si Ibrahima Konaté dhe Denzel Dumfries.

Në fokus mbetet edhe Michael Olise, i konsideruar si objektivi i madh i verës, në një operacion që mund të arrijë vlerën e 150 milionë eurove.

Gjatë presidencës së tij, Florentino Pérez ka fituar 66 trofe dhe ka transformuar infrastrukturën e klubit me ndërtimin e Ciudad Real Madrid dhe rinovimin modern të stadiumit Santiago Bernabéu, duke konsoliduar pozicionin e Real Madridit si një nga klubet më të fuqishme në botë.

Klan News

/tvklan.al