Deklaratat e presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, kanë futur në kaos futbollin spanjoll. Në konferencën për shtyp të jashtëzakonshme ditën e së martës, kreu i “Galaktikëve” i sulmoi të gjithë: gazetarët, arbitrat dhe sistemin e ligës spanjolle.

“Thonë që nuk ekzistoj dhe se jam i sëmurë. Por gaboheni. Unë jam president i Realit dhe nuk do të jap dorëheqjen. Kam fituar shumë tituj në Spanjë dhe mund të kisha dyfishin, por m’i kanë vjedhur. Çështja Negreira është shumë e rëndë dhe ende nuk ka një vendim”, tha president i Realit të Madridit, Florentino Perez.

Perez bëri me dije se klubi madrilen do të dorëzojë një dosje me fakte dhe rastet flagrante të vendimeve të arbitrave që kanë qenë në favor të skuadrës së Barcelonës. Këto deklarata vijnë vetëm pak ditë pasi katalanasit fituan titullin kampion në Spanjë.

Këta të fundit kanë mbetur të pakënaqur nga akuzat e ngritura nga Perez dhe mendojnë që të ngrenë një padi kundër tij, pavarësisht se nuk kanë bërë deklarata zyrtare.

Tv Klan

/tvklan.al