Lideri i opozitës britanike Jeremy Corbyn do të kërkojë një referendum të dytë për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Zyra e shtypit e laburistëve njoftoi se vendimi u mor pas konsultimeve të gjera që zhvilloi kreu i tyre me shoqërinë civile dhe në veçanti pas këmbënguljes së grupimeve të ndryshme sindikaliste.

Përveçse do të kërkojnë një referendum të dytë për Brexitin, laburistët do të bëjnë fushatë për kauzën e qëndrimit në union, siç e theksoi edhe vetë Korbin.

“Kushdo që do të zgjidhet kryeministër, duhet të marrë besimin duke e hedhur marrëveshjen e re, ose alternativën e daljes pa marrëveshje, në një tjetër votë popullore. Në këto rrethana, dua t’a bëj të qartë se Laburistët do të bëjnë fushatë për të qëndruar në BE, kundër çdo daljeje pa marrëveshje ose një marrëveshje të propozuar nga laburistët që nuk ruan ekonominë dhe vendet e punës”.

Kërkesa për një referendum të dytë diskutohej prej kohësh, teksa parlamenti britanik nuk arriti shumicën për marrëveshjen e arritur nga kryeministrja në largim Theresa May me Brukselin. Në fund të Korrikut zgjidhet kreu i ri i konservatorëve që do të pasojë May-n si kryeministër dhe që me shumicë gjasa do të jetë Boris Johnson, i shquar për linjën e ashpër kundër Brukselit. Vendi është përfshirë nga paqartësitë politike teksa ka afat deri më 31 Tetor për të arritur një marrëveshje.

Tv Klan