Reforma e inspektorateve do të përmirësojë edhe më tepër klimën e biznesit në vend.

Sipas hartuesve të këtij ligji, bëhet fjalë për një proces që është pjesë e reformës rregullatore sikurse janë dhënia e lehtë e licencave dhe e lejeve, sikurse është edhe ngritja e gjykatës administrative.

Artan Hoxha: “Është frymëzuar nga reforma rregullatore. Ka vazhduar me qendrën kombëtare të licencimit dhe reformimin e gjithë sistemit të licencave. Presim dita-ditës që fryma pozitive politike që po ndodh tashmë të na japë gjykatën administrative dhe ndërkohë do të ngremë edhe inspektimet. Pra, kemi një zinxhir hallkash të njëpasnjëshme që e ndjekin biznesin gjatë gjithë jetës së tij, do të inspektohet dhe për çdo shkelje të padrejtë të të drejtave të tij do të ketë dhe një gjykatë administrative.”

Sipas zotit Hoxha, inspektoratet e shumta që kontrollojnë aktivitetin e bizneseve janë duke u reduktuar.

Kjo do të sjellë kosto të ulëta për bizneset dhe më tepër transparencë mes atyre që e kontrollojnë edhe vetë subjektet.

Artan Hoxha: “Volumi i inspektimeve gjatë një viti mbi një biznes të caktuar të mos e kalojë një numër të arsyeshëm ditësh, 5 deri në 15 ditë maksimumi nga 43 ditë pune që bizneset shqiptare sot harxhojnë për t’i qëndruar në gatishmëri inspektorateve nga më të ndryshmit”.

Kjo reformë do të prekë të gjitha fushat, përveç tatimeve dhe doganave, të cilat aktualisht kanë sistem inspektimi të konsoliduar./tvklan.al