Mazhoranca dhe opozita ndajnë opinione të ndryshme sa i përket ndarjes së re administrativo-territoriale.
Në Gjirokastër, ku ishte ndalesa e radhës e turit të dëgjesave me qytetarët, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku, nënvizoi se më shumë se ulja e numrit të bashkive, prioritet duhet të jetë ofrimi i shërbimeve për qytetarët.
“Mundësia për të rishikuar si funksionojnë bashkitë është jetike për përditshmërinë e jetës së secilit prej nesh. Për këtë arsye unë e kam shumë të rëndësishme të mos bëjmë një debat territori, një debat kufijsh, por ta bëjmë një debat për kompetencat dhe funksionet që bashkitë kanë; ta bëjmë një debat që të flasë për rrugët, për pastrimin, për ndriçimin, për gjelbërimin e qytetit, për mënyrën sesi zhvillohet qyteti por edhe fshati…”, deklaroi Mazniku.
Por opozita këmbëngul në shtimin e numrit të bashkive, si mënyra më e mirë për të ofruar shërbimet tek qytetarët.
E teksa demokratët janë ulur në tryezë për të ndryshuar reformën e 2014, të cilën e konsiderojnë të dështuar, për socialistët, ndarja e re duhet t’i shërbejë edhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Socialistët dhe demokratët duhet të dakordësojnë hartën e re administrative deri në muajin korrik, kohë kur përfundon edhe afati i komisionit të posaçëm të reformës territoriale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 