Kjo e shtunë ka shënuar numrin rekord të turistëve të huaj dhe pushuesve shqiptarë që i janë drejtuar bregdetit të Shëngjinit.

Sipas statistikave të operatorëve turistikë, në hotelet e zonës nuk ka asnjë vend të lirë, ndërsa veç turistëve nga Kosova, Maqedonia dhe disa vende evropiane drejt bregdetit të Shëngjinit kanë vërshuar disa dhjetëra mijë pushues nga Shkodra, Laçi, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja, madje edhe nga Vlora.

Sipas pushuesve dhe operatorëve turistikë, tërheqja e pazakontë e këtij sezoni lidhet me përmbushjen e pritshmërive të vetë pushuesve nga ana e biznesit të hotelierëve, pastërtinë e ujit dhe rërës, furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm, energji elektrike, etj.

Po ashtu, investimet e kryera nga komuna e Shëngjinit, si dhe shërbimet e ofruara prej saj, cilësohen nga operatorët si çelësi i suksesit të këtij sezoni turistik.

Sokol Maluta: “Ky vit ishte një vit i mirë, i kënaqshëm. Falë punës edhe të komunës së Shëngjinit, falë investimeve të qeverisë shqiptare mendoj që ishte një vit i mirë, duke llogaritur edhe kriza globale që vërtetë është prezente”.

Astrit Nimani: “Ne jemi shumë të kënaqur në këtë sezon turistik, sidomos nga një dyndje e madhe nga populli i Kosovës, Maqedonisë, shqiptarët tonë, ne nuk kemi vend. Çdo gjë është kapaciteti 100%”.

Pritshmëritë e këtij sezoni veror në Shëngjin janë tejkaluar, ndërsa po punohet për të zgjatur sezonin turistik gjatë gjithë vitit, për të bërë këtë zonë ndër më të veçantat e vendit.

Salvador Kaçaj: “Me përfundimin e veprave që janë historike të infrastrukturës, Shëngjini do të reformohet, do të jetë një plazh i elitës kombëtare. Unë do të ftoj të gjithë shqiptarët dhe gjithë turistët që Shëngjinin ta vizitojnë edhe në sezonin e dimrit, sepse ne kemi edhe lagunën dhe gjithë Tirana gjatë gjithë dimrit frekuentohet laguna Vain dhe laguna e Kunës, pra ne presim turistët gjatë gjithë vitit.

Që nga muaji maj dhe deri më sot i gjithë bregdeti i Shëngjinit prej 13 kilometrash është frekuentuar mesatarisht nga 25 mijë pushues çdo ditë, shifër kjo është shumë herë më e lartë se një vit më parë./tvklan.al

/tvklan.al