Kur duhen edhe 3 javë nga përfundimi zyrtar i merkatos së kësaj vere, klubet e pesë kampionateve më të mëdhenj të kontinentit kanë thyer çdo rekord, sa i përket blerjes së lojtarëve. Deri tani janë shpenzuar 3 miliardë e 84 milionë euro.

Në krye është Premier League me më shumë se 1 miliard të shpenzuara për blerje lojtarësh me Romelu Lukakun në top listë i cili kaloi nga Everton tek Manchester United për 85 milionë euro.

Në vend të dytë të kampionateve me më shumë shpenzime është Serie A, italiane me më shumë se 704 milionë euro deri tani. Blerja më e shtrenjtë është Leonardo Bonucci nga Juventus tek Milan për 42 milionë euro i ndjekur nga Bernardeschi nga Fiorentina tek Juve për 40 milionë.

Kalimi i Neymar tek PSG për 222 milionë euro, e ngre Ligën e Parë franceze në vendin e tretë me më shumë se 555 milionë euro të shpenzuara.

Listën e mbyllin Bundesliga me afro 471 milionë me blerjen më të shtrenjtë Toliso 41.5 milionë euro dhe në fund kampionati Spanjoll me 356 milionë euro.

Por klubet europiane nuk janë kënaqur ende dhe në merkato qarkullojnë emrat e Mbape, Coutinho, Dybala e të tjerë. Mendohet se deri në fund të afatit, klubet europiane do të kenë shpenzuar afërsisht 3 miliardë e 700 milionë euro.