Temperatura rekord janë regjistruar në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore gjatë kësaj jave ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të shkaktojë zjarre të mëdha dhe thatësira.

Sllovakia, Austria dhe Hungaria shënuan temperatura historike ku në një qytet sllovak temometri shkoi për herë të parë në histroi në 42 gradë c.

Në Poloni, niveli shumë i ulët i ujit në lumin Visla detyroi autoritetet të ndalonin përkohësisht funksionimin e dy termocentraleve me qymyr, duke ulur prodhimin e energjisë elektrike.

Kryeministri Donald Tusk u bëri thirrje punëdhënësve të mbrojnë punonjësit duke siguruar ujë të ftohtë dhe ambiente me ajër të kondicionuar.

Në Gjermani, aktivistët për klimën protestuan kundër përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe mungesës së masave për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat ekstreme.

Sipas vlerësimeve, rreth 11.900 persona kanë humbur jetën këtë verë si pasojë e të nxehtit.

Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë situatën, duke ushtruar presion mbi popullsinë, infrastrukturën dhe ekosistemet.

Vapa ekstreme ka favorizuar në masë edhe përhapjen e zjarreve pyjore.

Që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 500 mijë hektarë pyje në Bashkimin Evropian.

Studiuesit vlerësojnë se ngrohja globale e ka bërë këtë valë të nxehti shumë më të mundshme dhe më intensive.

/tvklan.al