Koka: Topi në Athinë, replikon me Tadiç

Dita e parë e samitit të shtatë krerëve të shteteve të Evropës Juglindore është shoqëruar me replika mes presidentit serb, Boris Tadiç, dhe atij shqiptar, Bamir Topi.

Në fjalën e tij presidenti Tadiç tha se qeveria serbe mbetet e vendosur më shumë se kurrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me shqiptarët e Kosovës, por edhe tha se ekstremistët shqiptarë janë përgjegjës për shkatërrimin e disa kishave dhe manastireve gjatë viteve 1999-2004. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto vepra, tha ai.

Në rajonin tonë të Evropës Juglindore, ku vendet ndahen në anëtarë të Bashkimit Evropian dhe jo anëtarë duhet të mbizotërojë shteti ligjor dhe çështjet duhet të zgjidhen me dialog nëpërmjet negociatave mes palëve për arritjen e një kompromisi, shtoi Tadiç.

Pas kësaj deklarate reagoi menjëherë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi:

Bamir Topi: “Shqipëria dëshiron që jo vetëm gjeografikisht, jo vetëm historinë dhe kulturën e saj, por edhe në rrugë institucionale, në rrugë zyrtare të jetë pjesë e familjes evropiane, e mentalitetit evropian dhe besoj që është koha që në mënyrë definitive vendet e rajonit ballkanik, të cilat kanë vuajtur jo pak nga frymëzimet dhe janë futur në lufta ndëretnike duke i krijuar dëme të jashtëzakonshme jo vetëm momentit, por edhe perspektivës së këtyre vendeve duhet patjetër t’i largohen këtyre mentaliteteve dhe retorikave nacionaliste, por të kenë si pika referimi në mënyrë të padiskutueshme orientimin drejt integrimit. Do të ishte e pakuptimtë që fryma e mrekullueshme e këtij takimi të merrte sadopak nota që i ngjasojnë një të kaluare, të cilën Ballkani s’duhet ta përjetojë më”.

Këtë vit samiti i Athinës ka mbledhur krerët e shteteve të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Bulgarisë, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë dhe shumë vendeve të rajonit me synimin për lënien pas krahëve të konflikteve disa vjeçare dhe arritjen e bashkëpunimit kulturor. /tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle