Marrë nga The Guardian

Ishte një nga sulmet më tmerruese të luftës së Rusisë kundër Ukrainës deri më sot. Raportimet treguan një grua shtatzënë mbi një shtrat spitali, fytyra e saj e zbehtë nga shoku, këmbët të njolla me gjak dhe një dorë që mbante barkun. Pas saj, rrënojat e spitalit të lindjes në Mariupol. Mbi një duzinë njerëz, përfshirë gra në lindje, u plagosën në sulmin e marsit 2022. Gruaja e fotografuar, Iryna Kalinina, më vonë vdiq së bashku me foshnjën e saj të palindur.

Në tre vitet që pasuan, kujdesi për nënat në Ukrainë ka mbetur nën sulm të vazhdueshëm, me më shumë se 2,000 sulme mbi institucione shëndetësore, përfshirë 81 që prekën kujdesin maternal dhe sallat e lindjes. Vetëm muajin e kaluar, Diana Koshyk, shtatzënë shtatë muajshe, u vra kur një raketë goditi një spital të lindjes në rajonin lindor të Dnipropetrovsk.

The Guardian vizitoi tre spitale të lindjes në vijën e frontit për të dëshmuar se si pushtimi i plotë rus dhe sulmet ndaj objekteve shëndetësore kanë mohuar grave të drejtën bazë për një lindje të sigurt. Në çdo spital, gratë dhe stafi përballen me rrezik të madh: dronë që rrotullohen mbi kokë, artileri, raketa balistike dhe shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës shëndetësore. Ata rrezikojnë jetën për të sjellë jetë të re në një vend ku tani vdesin tre persona për çdo lindje. Edhe me shpresën e rinovuar për një fund të luftës, taktikat brutale të Rusisë kanë nxitur një krizë demografike në Ukrainë. Miliona gra dhe fëmijë janë larguar nga vendi, qindra mijëra janë vrarë, dhe gratë që kanë mbetur jetojnë me frikë për shtatzëninë dhe lindjen.

Në vitin 2024, Ukraina regjistroi normën më të ulët të lindjeve në botë dhe normën më të lartë të vdekshmërisë, sipas CIA World Factbook.

Kharkiv

Rreth 1 mijë foshnje vinin në jetë brenda një viti në spitalin e Kharkiv, para pushtimit të plotë rus në 2022. Vitin e kaluar, kjo shifër ra në më pak se 440, dy të tretat e grave në moshë riprodhuese kanë ikur nga qyteti. Vetëm pesë ditë para mbërritjes së reporterëve në fund të korrikut, godina e maternitetit të spitalit kryesor të Kharkivit u dëmtua nga një sulm me dron. Gratë, disa shtatzëna, disa me foshnje dhe njëra në lindje aktive u zhvendosën urgjentisht në një qendër për trajtim mjekësor.

Sulmet janë bërë pjesë e përditshme e jetës në Kharkiv, që nga orët e para të luftës. Në qendrën perinatale, mjekët presin lindjet edhe gjatë sulmeve ajrore dhe operacionet kryhen ndërsa ndërtesa dridhet nga shpërthimet. Shumë gra vuajnë nga stresi dhe komplikimet shëndetësore, një nënë e re refuzoi të marrë fëmijën pasi mësoi se burri i saj ishte vrarë në front. Spitali tani punëson psikologë për të ndihmuar gratë të kapërcejnë frikën e shkuarjes në spital.

Olga Shevela, 30 vjeçe, duhej të shkonte në spital ndërsa dronët Shahed fluturonin mbi rrugë. “Isha e shqetësuar se spitali mund të goditej, por nuk kisha tjetër zgjedhje,” thotë ajo, duke tundur foshnjën një ditëshe, Zahar. Ata përfunduan në strehimorin e spitalit disa orë pas lindjes, ndërsa rreth 20 shpërthime goditnin qytetin.

Në fillim të luftës, lindjet improvizoheshin në një bodrum të pluhurosur, i cili tani është shndërruar në dhomë lindjeje me shtretër dhe pajisje për tri ditë. Dasha Borisenko, 32 vjeçe, pas dy humbjesh të shtatzënisë, po jeton plotësisht në spital për të mbrojtur një shtatzëni me rrezik të lartë.

Sloviansk

Popullsia e qytetit është gjysmuar që nga pushtimi, nga mbi 100,000 në rreth 53,000 banorë. Lindjet kanë rënë nga mbi 1,000 në 550 në vit. Liliia Eroshenko, 36 vjeçe, ishte në shtëpi dhe shumë shtatzënë kur tre dronë Shahed goditën godinën kryesore të spitalit. Ajo dhe burri i saj kishin pritur tre vjet për të pasur fëmijë për shkak të luftës, por pa shenja paqeje, “nuk mund të prisnim më”. Qyteti mbetet i pasigurt, dhe ajo po mendon të ikë në perëndim të vendit, por frikësohet se askund nuk është i sigurt.

Vitalii Chernetskyi, 31 vjeç, i verbuar në një sy, përqafon vajzën e tij dy ditëshe, Daria. Spitali i goditur tani është në rrënoja. Mjekët raportojnë rritje të lindjeve premature dhe kancerit të mitrës, si pasojë e grimcave të ajrit nga shpërthimet e përditshme.

Kherson

Popullsia para pushtimit ishte 280 mijë, tani nën 1/4-ën. Njësia maternale, që më parë trajtonte 1,500–2,000 lindje në vit, tani trajton rreth 120. Spitali i lindjes operon tani në një bodrum modern, i pajisur për lindje, kirurgji dhe rikuperim. Dronët FPV dhe sulmet e drejtpërdrejta i japin qytetit pak ose aspak kohë paralajmëruese. “Jemi 100% të sigurt që Rusia po na sulmon qëllimisht,” thotë shefi i obstetrikës, Petro Marenkovskyi.

Kateryna Osetsymska, 35 vjeçe dhe 33 javëshe shtatzënë me komplikacione, shprehet: “Jam e sigurt që stresi ka ndikuar në shtatzëninë time. Por shpresa ime më e madhe është që foshnja ime të jetojë dhe të ketë mundësinë të gëzojë fëmijërinë.”

Sulmet e vazhdueshme mbi spitale maternale, stresi dhe pasiguria kanë krijuar një krizë të thellë humanitare dhe demografike në Ukrainë, duke u lënë grave pak mundësi për lindje të sigurt dhe një të ardhme të qëndrueshme për fëmijët e tyre./tvklan.al