Republika Demokratike e Kongos ka rënë dakord të pranojë emigrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse ata nuk janë shtetas kongolezë, sipas një marrëveshjeje që hyn në fuqi këtë muaj.

Autoritetet në Kinshasa konfirmuan se është ngritur një sistem i përkohshëm pritjeje për të dëbuarit, ndërsa janë përzgjedhur edhe ambientet ku do të strehohen në kryeqytet. Sipas Ministrisë së Komunikimit, SHBA do të ofrojë mbështetje logjistike dhe teknike, ndërsa pala kongoleze nuk do të përballojë kosto financiare për këtë skemë.

Ende nuk dihet numri i personave që do të pranohen, por Uashingtoni ka nisur tashmë dëbimet e emigrantëve drejt disa vendeve afrikane, në kuadër të politikave më të ashpra kundër emigracionit.

Zyrtarët kongolezë theksuan se nuk ka plane për t’i rikthyer këta emigrantë në vendet e tyre të origjinës, mes shqetësimeve për sigurinë dhe rrezikun e përndjekjes. Sipas tyre, pranimi i emigrantëve nga vende të treta është në përputhje me angazhimet për të drejtat e njeriut dhe solidaritetin ndërkombëtar.

Megjithatë, autoritetet sqaruan se kjo nismë nuk përbën një mekanizëm të përhershëm zhvendosjeje dhe nuk nënkupton delegimin e politikave të migracionit.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se mbetet i vendosur për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të forcuar sigurinë kufitare. Që nga ardhja në pushtet, administrata e presidentit Donald Trump ka dëbuar dhjetëra persona drejt vendeve të treta.

Politika është kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi ligjshmërinë e saj.

RD Kongo i bashkohet kështu vendeve të tjera si Eswatini, Gana dhe Sudani i Jugut, që kanë pranuar të deportuar nga SHBA. Vetëm javën e kaluar, tetë persona nga vende të ndryshme afrikane u dërguan në Ugandë.

Ndërkohë, një raport i Senatit amerikan vlerëson se mbi 40 milionë dollarë janë shpenzuar për deportime drejt vendeve të treta deri në janar 2026, megjithëse shifra e saktë mbetet e paqartë.

Paralelisht, SHBA po negocion edhe një marrëveshje për mineralet me Republikën Demokratike të Kongos, për të siguruar qasje në burimet e pasura të metaleve strategjike si kobalti, litiumi dhe bakri.

/tvklan.al