Ditët e ngrohta dhe me diell duket se janë lënë pas.
Gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mëngjesin e sotëm më 9 tetor, moti në vendin tonë është dominuar nga reshjet e dendura të shiut.
Reshjet e shiut të nisura në orët e para të mëngjesit kanë sjellë dhe problematikat e para në disa zona të Durrësit.
Situata më problematike paraqitet në lagjen nr. 1, në aksin që lidh shëtitoren Taulantia me zonën e Currilave.
Në këtë zonë ka prezencë të konsiderueshme uji në rrugë dhe mbi trotuare.




Problematika janë konstatuar edhe në disa kryqëzime pranë stadiumit, “Niko Dovana” në lagjen nr 18 ku grumbullimi i ujit vështirëson qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.
Ndërkaq, në Lezhë kanë nisur reshjet e shiut, por nuk raportohet nga strukturat vendore për problematika.
Emergjencat Civile shprehen se janë në gatishmëri, për situatën e paralajmëruar nga sinoptikanët.
“Për momentin nuk shfaqen probleme në Lezhë, pavarësisht reshjeve të shiut që kanë nisur që mbrëmë. Emergjencat Civile nuk raportojnë për problematika, por se janë në gatishmëri të plotë.
Autoritetet lokale kanë bërë apel edhe për qytetarët, që të mos dalin kur nuk kanë punë emergjente. Qarku i Lezhës është një zonë problematike, kur ka reshje intensive. Mbrëmë dhe sot ka pasur reshje intensive. Ka disa problematika të vogla, me rrëshqitje të dherave në disa zona. Autoritetet kanë dalë në terren, që të pastrohen akset dhe rrugët, gjë që ka sjellë vështirësi për drejtuesit e automjeteve. Në disa zona ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Punonjësit e OSHEE-së janë duke punuar, që të kthejnë energjinë, në vendbanimet ku ajo mungon”, raportoi gazetari i Klan News Martin Marku.
Në Tiranë, reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar kaos dhe po ashtu kanë rënduar trafikun.
“Reshjet e shiut kanë sjellë një trafik tepër të rënduar në Tiranë. Kjo, sepse në ditë me shi, qytetarët përdorin më shumë automjetet. Trafiku ka nisur që në orën 07:00. Trafik i rënduar është shënuar edhe në zonën e Kinostudios”, raportoi gazetarja e Klan News Ermelinda Hoxhaj.
Në Shkodër, reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të ulët dhe mesatar. Emergjencat Civile të Shkodrës kanë marrë masa, që të mos ketë problematika.
“Deri tani nuk ka pasur problematika të regjistruara në Shkodër si pasojë e reshjeve të shiut, që kanë qenë me intensitet të ulët dhe mesatar. Nuk kemi pasur reshje të shumta. Megjithatë, pas parashikimit të IGJEUM për reshje në ditët në vijim, Emergjencat Civile në Shkodër kanë marrë të gjitha masat, të koordinuar me institucione të tjera, që të mos ketë problematika.
Duhet thënë se vjeshta ka hyrë tashmë dhe reshjet e shiut janë normale. Por në një qark si Shkodra, ku ka përmbytje në kohë të tilla, duhet një vëmendje edhe më e shtuar, kryesisht në zonat e Nën-Shkodrës, që njihen për problematikat e përmbytjeve. Deri tani nuk ka asnjë problem, edhe për shkak të verës të zgjatur. Rrugët në zonat turistike janë të aksesueshme”, deklaroi gazetarja e Klan News Emi Kalaja.












Botërori 2026 
