Në orët e para të kësaj të marte vendi u përfshi nga moti i keq, ku shirat me intensitet shkaktuan edhe probleme në disa qytete.
Në Durrës, uji mbuloi rrugët, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe lëvizjen e qytetarëve.
Por mesdita e kësaj të marte ka sjellë një përmirësim të dukshëm të kushteve të motit, situatë kjo që, sipas sinoptikanëve, do të jetë prezente gjatë tre ditëve në vijim.
“E mërkura, e enjtja dhe e premtja do të na duken më shumë si pranverë dhe jo si vjeshtë, për shkak se do të kemi temperatura të larta. Një maksimum prej 24 gradësh, që janë temperatura më të larta se ç’duhet të regjistrojë nëntori”, tha sinoptikania Lajda Porja.
Moti i ngrohtë dhe me diell zgjat pak, pasi fundjava rikthen sërish reshjet. Shiu me intensitet pritet të sjellë sërish problematika me përmbytjet në ultësirën perëndimore.
“Reshjet më të shumta do të jenë të dielën dhe pjesërisht të hënën. Do të jenë fillimisht në veri dhe më pas gradualisht në të gjithë territorin. Të dielën, lokalisht intensive. Do të jetë një sistem që do të qëndrojë tre ditë dhe do të prodhojë reshje mjaftueshëm. Patjetër që do të kemi përmbytje lokale në disa zona: Shkodra, Lezha, Tirana, Elbasani, Durrësi.”
Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut do të jenë prezente herë pas here gjatë këtij muaji, megjithatë nëntori do të karakterizohet me më shumë ditë me diell dhe temperatura më të larta se normalja.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 