Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me rritjen më të madhe ekonomike në Ballkan.

Kështu shkruan agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters në një analizë të sajën mbi zhvillimin e ekonomisë në rajonin tonë.

Në analizë thuhet se në qoftë se Serbia, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina shënuan rritje ekonomike në gjysmën e dytë të këtij viti, Shqipëria dhe Kosova po ecin me ritme shumë më të shpejta.

Një përfundim i tillë shihet edhe në një raport të Bankës Botërore e cila thotë se për 2011-ën, rajoni do rritet 1%.

Përjashtim do të bëjë vetëm Shqipëria e cila do shënojë rritje ekonomike prej 3.9% për këtë vit dhe 4% për vitin 2011-të.

Shifra prej 3.9% e rritjes ekonomike e rendit vendin tonë në vend të dytë në Evropë.

Analiza e ekspertëve të Reuters thotë se i vetmi vend që shënoi një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto është Kroacia, GDP e së cilës për tre mujorin e dytë ra me 2.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe Mali i Zi mund të ndjekë trendin e Kroacisë e të shënojë nivele negative të rritjes ekonomike.

Sipas analizës së Reuters, ekonomia në Ballkan ka mundësinë të zhvillohet më shpejt se ajo në pjesën perëndimore të Evropës, por kjo në rast se vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin reformat të mëdha./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj

/tvklan.al