Gjiganti financiar Revolut do të vendoset për një vit nën administrim gjyqësor në Itali, pas dyshimeve se përmes platformës së tij bankare janë kryer transaksione të lidhura me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Milanos, pas hetimeve të koordinuara nga prokurori Paolo Storari i Drejtorisë Antimafia. Sipas autoriteteve italiane, banka nuk kishte zbatuar kontrollet e nevojshme për të identifikuar transaksionet e dyshimta dhe për të parandaluar përdorimin e sistemit të saj nga persona të përfshirë në aktivitete kriminale.
Çështja lidhet, ndër të tjera, me zbulimin e një banke të dyshuar ilegale kineze, e krijuar brenda një kompanie të vogël të dhënies me qira të makinave në Pero, pranë Milanos. Hetimi ka çuar në rreth 30 arrestime, mes tyre edhe një punonjës të Gjykatës së Milanos.
Sipas hetuesve, kjo strukturë dyshohet se ofronte shërbime të paligjshme financiare, duke ndihmuar në evazionin fiskal, pastrimin e parave nga trafiku i drogës dhe financimin e grupeve kriminale të lidhura me mafian kalabreze ’Ndrangheta dhe klane kriminale nga zona e Foxhias.
Në këtë rast, Revolut nuk kishte raportuar transaksione të dyshimta, çka sipas Prokurorisë lidhet me mungesën e kontrolleve të duhura kundër pastrimit të parave.
Megjithatë, hetimet nuk kanë zbuluar prova se drejtuesit e Revolut kanë marrë pjesë me vetëdije në aktivitetet kriminale apo se banka ka lidhje të drejtpërdrejta me personat e përfshirë. Për këtë arsye, Revolut nuk është marrë nën hetim penal. Kritikat e autoriteteve lidhen me mënyrën se si banka ka organizuar dhe zbatuar sistemet e saj të kontrollit, të cilat dyshohet se kanë lejuar kalimin e parave me origjinë të paligjshme.
Gjatë hetimeve janë identifikuar transaksione në vlerën 76,5 milionë euro, të cilat, sipas hetuesve, mund të ishin zbuluar nëse do të ishin zbatuar siç duhet procedurat kundër pastrimit të parave. Gjithashtu, rreth 4,6 milionë euro mund të ishin parandaluar që të përfundonin në duart e personave të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Në fokus të hetimeve kanë qenë të paktën 22 klientë të dyshimtë, ndërsa autoritetet kanë konstatuar se gjatë një periudhe pesëvjeçare janë fshehur flukse financiare në vlerën e afro 42 milionë eurove.
Mes klientëve të Revolut të përfshirë në procedime të ndryshme penale janë edhe disa emra të njohur në Itali. Ndër ta është Samuele Calamucci, i hetuar në çështjen Equalize, që lidhet me një agjenci të dyshuar për spiunazh dhe përgjime të paligjshme në Milano. Në listë është edhe Saverio Pintaudi, bashkëpunëtor i drejtësisë në hetimin e madh antimafia Hydra, si dhe sipërmarrësi Maurizio Ponzoni, i përfshirë në çështjen e Banca Progetto.
Administratorët gjyqësorë të caktuar nga gjykata, Ilaria Ramoni dhe Pietro Antonio Capitini, do të mbikëqyrin për një vit aktivitetin e bankës dhe do të kontrollojnë mënyrën se si funksionojnë strukturat e saj drejtuese. Ata do të kenë të drejtë të kërkojnë dokumente, të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes dhe të verifikojnë zbatimin e detyrimeve ligjore.
Problemet e konstatuara nuk lidhen vetëm me rastet e mësipërme. Gjatë një inspektimi të Guardia di Finanza-s janë evidentuar mbi një milion shkelje që kanë të bëjnë me verifikimin e identitetit dhe aktivitetit të klientëve, ruajtjen e të dhënave dhe mosraportimin e transaksioneve të dyshimta.
Revolut, me një vlerë të raportuar prej 115 miliardë eurosh, kishte qenë më herët edhe objekt i një inspektimi nga Njësia e Inteligjencës Financiare e Bankës së Italisë. Vendosja nën administrim gjyqësor synon të forcojë kontrollet e brendshme dhe të parandalojë që infrastruktura bankare të përdoret për aktivitete të paligjshme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
