Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur rezultatet që Shqipëria ka marrë në testimin ndërkombëtar të PISA 2025, i cili përcakton nivelin e të nxënit për nxënësit e sistemit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim.

Kreu i qeverisë e konsideron një rezultat të jashtëzakonshëm pas rënies që shkaktoi periudha e pandemisë së COVID 19.

“Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, sepse është një dëftesë që i takon atyre që janë drita e syve të prindërve të këtij vendi, nxënësve tanë. Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025, një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim. Dhe jo vetëm kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çoroditjeje që shkaktoi Covidi, edhe ku të gjitha vendet në fakt ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme, e cila, si të thuash, na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshme rritjeje të butë, por konstante dhe sot jemi faktikisht të parët në rajon”, tha Rama.

Rama nënvizoi se Shqipëria jo vetëm që ka zënë vendin e parë në rajon por ka lënë pas edhe vende të cilat janë anëtare të Bashkimit Europian.

“Çfarë ke bërë për Shqipërinë, thotë, ke 12 vjet? Urdhëro. Po flas sot, tani për një rezultat fantastik. Një nga ato rezultate që ndërtohen vit pas viti, muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite, që nuk bëjnë lajm, që nuk bëjnë zhurmë. Po ju them dhe tjetrën, që jo vetëm kemi bërë një kërcim të jashtëzakonshëm pikësh, por kemi gjithashtu lënë pas edhe disa vende, disa vende që sot janë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Një mesazh Rama e kishte edhe për të gjithë ato prindër, mësues e drejtues shkollash, që jo në pak raste thotë se janë përballur me mllef në rrjetet sociale.

“Më vjen shumë mirë për të gjithë mësuesit, më vjen shumë mirë për të gjithë drejtuesit e shkollave, më vjen jashtëzakonisht mirë për prindërit që tanimë kanë një arsye të marrin frymë lirisht pas gjithë torturës që heqin në këto kanalet sociale, ku çfarë nuk dëgjojnë e çfarë nuk shohin e çfarë nuk u thuhet për fatin e fëmijëve në këtë vend, i cili më të mirën e ka vetëm përpara dhe i cili është një vend që përparon çdo ditë, duan s’duan ata që s’duan”, tha Rama.  

Në raportin e publikuar “PISA 2025”, Shqipëria mori mesatarisht 435 pikë në shkencë, 408 pikë në lexim dhe 433 pikë në matematikë.

Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon në shkencë, duke lënë pas vende si Serbia, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa udhëheq klasifikimin në matematikë së bashku me Malin e Zi. 

Krahasuar me vitin 2022, në testin e matematikës Shqipëria është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë.

/tvklan.al