Kuvendi miratoi ligjin e ri për menaxhimin e sistemit buxhetor përmes të cilit do të bëhet më transparent menaxhimi i fondeve publike.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke mbrojtur draftin tha se hartimi i tij u bë i domosdoshëm për të përshtatur dispozitat ligjore me reformat që janë ndërmarrë në sektorin financiar.

Ridvan Bode: “Ligji aktual, ligji që kemi në fuqi me gjithë përmirësimet e njëpasnjëshme që kanë bërë është hartuar dhe konceptuar në një kohë kur ende nuk ishin miratuar kodi i praktikave të mira për një qeverisje transparente qoftë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, qoftë nga OECD-ja. Një sërë reformash janë ndërmarrë dhjetëvjeçarin e fundit, të cilat kërkonin një bazë ligjore të përshtatshme. Ka qenë intensioni për të rritur transparencën e hartimit dhe përdorimit të financave të shtetit.”

Ministri Bode tha ndër të tjera ligji për menaxhimin e fondeve buxhetore do të rrisë rolin e kuvendit me përfshirjen e tij në hartimin e buxhetit të shtetit e më pas në zbatimin e tij në praktikë./tvklan.al